Zgjedhjet në Holandë, test për ekstremin e djathtë në Evropë
Holandezët iu drejtohen kutive të votimit të mërkurën për zgjedhjet e parakohshme që shihen si test për fuqinë e ekstremit të djathtë, që ka shënuar rritje të fuqishme në mbarë Evropën.
Sipas sondazheve, politikani kundër migracionit dhe islamit, Geert Wilders, është në garë të ngushtë për të përsëritur suksesin zgjedhor të dy vjetëve më parë me partinë e tij të ekstremit të djathtë, Partia për Liri (PVV).
Por, me gjysmën e votuesve që ende janë të pavendosur, rezultati është i ngushtë dhe nuk mund të parashikohet, teksa tri parti të tjera, sipas sondazheve, e kanë ngushtuar hendekun ditët e fundit.
“Është e pamundur të thuhet tani se kush mund t’i fitojë zgjedhjet sepse janë katër parti që po garojnë për vendin e parë”, tha për AFP-në, Sarah de Lange, profesoreshë për politikat holandeze në Universitetin Leiden.
“Përveç kësaj, mbi 50 për qind e votuesve janë ende të pavendosur.
Megjithatë, një gjë është pothuajse e sigurt: Wilders nuk do të jetë kryeministër, pavarësisht rezultatit.
Ai shkaktoi mbajtjen e zgjedhjeve duke rrëzuar Qeverinë paraprake për shkak të mosmarrëveshjeve për migrimin, duke e tërhequr PVV-nënga koalicioni katërpartiakësh.
Të gjitha partitë tradicionale e kanë përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit të ri me të, duke vlerësuar se Wilders është një partner që nuk mund t’i besojnë dhe se qëndrimet e tij janë të papranueshme.
Sistemi i fragmentuar politik holandez nënkupton se asnjë parti nuk mund të arrijë të fitojë 76 ulëset e nevojshme për të qeverisur vetëm, prandaj konsensusi dhe koalicionet janë të nevojshme.
“E ardhmja e kombit tonë është në rrezik”, tha Wilders në një intervistë dhënë për AFP-në para zgjedhjeve.
“Sikurse në mbarë Evropën, njerëzit janë lodhur nga migrimi masiv dhe ndryshimi i kulturës si dhe fluksi i njerëzve që në aspektin kulturor nuk i përkasin kësaj zone”, shtoi ai.
Rezultatet e tij zgjedhore në Holandë – ekonominë e pestë më të madhe në Bashkimin Evropian – do të shihen si matës për fuqinë e ekstremit të djathtë, teksa parti të ngjashme në Francë, Gjermani dhe Britani, sipas sondazheve, janë në epërsi.
Çështja kryesore e fushatës zgjedhore ishte migrimi dhe kriza e banimit që prek veçmas të rinjtë në Holandë.
Teksa partitë e tjera kanë përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me Wildersin, udhëheqësi i partisë së dytë që do të dalë në zgjedhje, me gjasë do të zgjidhet kryeministër.
Sipas sondazheve aktuale ai është Frans Timmermans, ish-zëvendëspresident i Komisionit Evropian i cili e ka paraqitur veten një politikan që ofron siguri pas muajsh të kaosit politik.
“Holanda është një nga shtetet më të pasura në planet, dhe sërish, vetëbesimi i saj është i ulët”, tha për AFP-në Timmermans, që udhëheq aleancën e krahut të majtë Të Gjelbërit-Laburistët.
Momentum ka edhe për Rob Jetten dhe partinë e tij të qendrës, D66, që sipas sondazheve është rritur falë performacës së mirë mediatike të Jetten, 38 vjeç.
Ai bëri fushatë me mesazhe pozitive dhe optimiste, duke synuar që të përfitojë nga situata pas dy vjetësh të kaosit të nxitur nga Wilders.
Ylli në rritje i qendrës së djathtë, Henri Bontenbal, kryetar i partisë Kristiandemokrate (CDA) po garon me një platformë për stabilitet.
“Dua të besoj se holandezët nuk janë ekstrem në asnjërin krah. Shumica e holandezëve duan politika të moderuara”, tha për AFP-në Bontenbal, 42 vjeç.
Fushata është përshkruar me dhunë dhe dezinformata.
Protestuesit kundër strehimit të azilkërkuesve janë përleshur me policinë në disa qytete dhe disa protesta kundër migrimit të mbajtura në Hagë muajin e kaluar janë përshkruar me dhunë.
Wilders është detyruar që t’i kërkojë falje Timmermansit pasi dy anëtarët e partisë së tij krijuar imazhe me inteligjencë artificiale për të diskredituar udhëheqësin e majtë.
Përderisa rezultati mbetet i pasigurt se si do të jetë, një gjë është e qartë, bisedimet për koalicion do të zgjasin për muaj të tërë. Për formimin e Qeverisë paraprake u deshën 223 ditë negociata.
Deri në zgjedhjen e Qeverisë së re, kryeministri në detyrë, Dick Schoof, do të udhëheqë me Holandën.
Wilders, ndërkaq, ka paralajmëruar se “demokracia do të vdesë” nëse ai i fiton zgjedhjet sërish, por nuk mund të bëhet kryeministër. /REL