Uragani më i fortë në botë këtë vit shkakton viktimat e para

Uragani më i fortë në botë këtë vit shkakton viktimat e para

Bota October 28, 2025 - 15:04

Uragani “Melissa” ka filluar tashmë të godasë Xhamajkën, duke shkaktuar tri viktimat e para. Edhe pse stuhia nuk ka arritur ende në breg, pasojat kanë filluar të ndihen në ishullin e Karaibeve.

Melissa, një uragan i kategorisë 5, është stuhia më e fortë në Tokë deri më tani këtë vit dhe dëmet që pritet të shkaktojë janë kolosale.

Shpejtësia e erës arrin deri në 282 kilometër në orë dhe reshjet e shiut mund të arrijnë deri në 100 centimetër, ndërsa dallgët mund të jenë disa metra të larta.

Autoritetet e Xhamajkës janë në alarm, pasi dallgë katër metër të larta mund të përmbytin Aeroportin Ndërkombëtar Norman Manley, i cili tashmë është mbyllur për shkak të stuhisë. Megjithatë në një moment të dytë, kjo përmbytje mund të shkaktojë probleme për dërgimin e ndihmave apo të ekipeve të emergjencës në zonë.

Ende pa goditur mirë stuhia, mbi 50 mijë njerëz mbetën pa energji elektrike. Qytetarët e Xhamajkës janë paralajmëruar për uraganin dhe janë udhëzuar të kërkojnë strehim të menjëhershëm. Zyrtarët e vendit u kanë kërkuar banorëve që të jenë të përgatitur ta përballojnë stuhinë për disa ditë.

Qeveria gjithashtu ka nxjerrë urdhra të detyrueshëm evakuimi për disa zona, përfshirë edhe një pjesë të kryeqytetit Kingston.

Por me gjithë furinë e uraganit Melissa, duke se autoritetet nuk kanë shumë në dorë. Kryeministri i Xhamajkës tha se po lutet dhe ka qenë në kontakt me liderët botërorë, pasi rimëkëmbja nga stuhia, do të kërkojë më shumë nga ajo që Xhamajka ka.

Melissa më vonë pritet të godasë edhe Kubën, Ishujt Bahamas, Republikën Domenikane dhe Haitin, ndërsa stuhia mund të ketë një ndikim të vogël edhe në brigjet e Florida në Shtetet e Bashkuara. /abcnews