Beogradi në shërbim të Putinit – festivalet ruse kthehen në mjet propagande

Beogradi në shërbim të Putinit – festivalet ruse kthehen në mjet propagande

Bota October 28, 2025 - 09:19

Gjersa pjesa më e madhe e Evropës e sheh bashkëpunimin kulturor me institucionet shtetërore të Rusisë si mjet propagande, Serbia vazhdon të jetë një nga të paktat vende që i hap dyert këtyre aktiviteteve – mes thirrjeve për kujdes ndaj ndikimit politik që fshihet pas kulturës.

Në Serbi po zhvillohen një sërë aktivitetesh kulturore nën mbështetjen e institucioneve shtetërore të Rusisë, ndërkohë që pjesa më e madhe e vendeve evropiane kanë ndërprerë bashkëpunimin kulturor me Moskën pas agresionit ndaj Ukrainës.

Regjisori beogradas Janko Baljak e sheh këtë si pjesë të një strategjie propagandistike të Kremlinit.

“Kemi një situatë ku shteti rus, pa asnjë pasojë, pas pushtimit dhe krimeve në Ukrainë, po shpërndan propagandën e vet këtu”, tha Baljaku për Radion Evropa e Lirë.

Para pak ditësh, Serbia ka qenë nikoqire e disa ngjarjeve të mëdha kulturore: “Ditët e Moskës në Beograd”, “Festivali i Filmit Rus” dhe “Ditët e Kulturës Shpirtërore të Rusisë në Serbi”. Këto aktivitete janë zhvilluar me mbështetjen e drejtpërdrejtë të institucioneve shtetërore të Rusisë, që në vendet perëndimore janë bojkotuar për shkak të politikës së luftës.

Gjatë manifestimit “Ditët e Moskës në Beograd”, më 20 tetor, përfaqësuesit e kryeqytetit serb dhe atij rus nënshkruan memorandum bashkëpunimi mes dy qyteteve. Kreu i Kuvendit të Beogradit, Nikola Nikodijeviq, njoftoi për “një numër të madh aktivitetesh kulturore dhe sportive ku artistë nga Moska do të paraqiten para publikut serb”.

Në disa qytete të Serbisë u mbajtën gjithashtu “Ditët e Kulturës Shpirtërore të Rusisë”, një projekt i Ministrisë së Kulturës së Rusisë dhe i Kishës Ortodokse Ruse, që synon “promovimin e vlerave shpirtërore dhe morale të popullit rus”.

Një tjetër ngjarje e mbështetur nga Moska ishte Festivali i Filmit Rus, organizuar nga agjencia shtetërore “Roskino”, e cila merret me promovimin ndërkombëtar të kinematografisë ruse.

Në festivalin e këtij viti u shfaqën pesë filma – dy prej tyre me tematikë nga Lufta e Dytë Botërore dhe “luftën kundër fashizmit”, një motiv që Rusia përdor shpesh për të justifikuar pushtimin e Ukrainës.

Politologu Boris Varga e cilëson “Roskino”-n si mjet të “fuqisë së butë” ruse.

“Shteti rus përdor interpretimin e historisë si mbulesë për imperializmin e ri të Kremlinit. Kjo u bë veçanërisht agresive pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022”, tha ai për REL-in.

Pas nisjes së pushtimit të plotë të Ukrainës në vitin 2022, shumë festivale evropiane – përfshirë Kanin, Berlinalen dhe Venecian – ndërprenë bashkëpunimin me institucionet kulturore shtetërore ruse.

Ministria franceze e Kulturës ndaloi pjesëmarrjen e “Roskino”-s në festivalin “Series Mania”, duke e cilësuar si “përfaqësuese të interesave të shtetit agresor”.

Megjithatë, jo të gjithë artistët rusë janë përjashtuar. Në disa festivale janë lejuar filma apo vepra që kritikojnë regjimin e Putinit ose që nuk kanë lidhje me shtetin rus.

Në Rusi, autoritetet kanë forcuar kontrollet mbi artin dhe median. Në vitin 2025, Duma ruse miratoi ndalimin e filmave që “diskreditojnë vlerat morale tradicionale”, ndërsa më parë ishte ndaluar e ashtuquajtura “propagandë LGBT”.

Së fundmi, është ndaluar edhe promovimi i “stilit të jetesës pa fëmijë”, si pjesë e fushatës për rritjen e natalitetit.

Ish-ministri ukrainas i Kulturës Oleksandr Tkaçenko në vitin 2022 u bëri thirrje vendeve perëndimore të bojkotojnë kulturën ruse, me argumentin se Kremlini po e përdor për të shuar identitetin ukrainas.

Megjithatë, shumë institucione kulturore në Evropë zgjodhën një qasje selektive – duke ndaluar bashkëpunimin me organizata shtetërore, por jo me veprat klasike si ato të Çajkovskit.

Politologu Varga thekson se duhet bërë dallim mes artit dhe propagandës:

“Nuk duhet ndaluar kultura klasike që është pjesë e trashëgimisë botërore, por duhet refuzuar çdo projekt që financohet ose përdoret nga regjimi i Putinit për qëllime politike”.

Edhe regjisori Janko Baljak ndan të njëjtin mendim:

“Do të doja të shihja më shumë filma kritikë ndaj regjimit rus, sepse besoj se fryma kritike në atë vend të madh nuk është shuar plotësisht”.