Detaje nga arrestimi i të dyshuarve për grabitjen e xhevahireve të Luvrit

Detaje nga arrestimi i të dyshuarve për grabitjen e xhevahireve të Luvrit

Bota October 26, 2025 - 23:42

Të dyshuarit janë arrestuar për grabitjen e bizhuterive në Luvër, pikërisht kur njëri prej tyre po bëhej gati të largohej nga Franca, tha prokurorja e Parisit të dielën.

Dy burra në të 30-at dhe me origjinë nga periferia Seine-Saint-Denis e kryeqytetit – që përfshin disa nga zonat më të varfra të vendit, u arrestuan të shtunën në mbrëmje, sipas gazetës Le Parisien, e cila e publikoi e para lajmin.

Ata ishin të njohur për policinë franceze dhe një nga të dyshuarit ishte gati të fluturonte për në Algjeri nga aeroporti Charles de Gaulle, tha gazeta.

Të dielën nuk pati asnjë shenjë se ndonjë nga stolitë e vjedhura mbretërore të Francës ishte gjetur.

Prokurorja e Parisit, Laure Beccuau, nuk tha se sa persona u arrestuan dhe as nuk dha më shumë detaje rreth tyre. Në një deklaratë, ajo shprehu keqardhje për faktin se informacioni në lidhje me arrestimin e tyre u publikua.

“Ky zbulim vetëm sa mund të pengojë përpjekjet hetimore të rreth 100 hetuesve të mobilizuar, si në kërkimin e bizhuterive të vjedhura ashtu edhe për të gjithë autorët. Është shumë herët për të dhënë ndonjë detaj specifik”, tha Beccuau.

Ministri i Brendshëm, Laurent Nunez, nën presionin publik për të dhënë rezultate një javë pas grabitjes, përgëzoi hetuesit në një postim në X, por nuk dha më shumë detaje.

Katër hajdutë u larguan me tetë vepra të çmuara me vlerë rreth 102 milionë dollarë nga koleksioni i Luvrit më 19 tetor, duke zbuluar mangësitë e sigurisë në muzeun më të vizituar në botë.

Ata hynë me forcë, duke përdorur një vinç për të thyer një dritare në katin e sipërm gjatë orarit të hapjes dhe ikën me motoçikleta.

Lajmi i grabitjes bëri jehonë në të gjithë botën, duke shkaktuar reflektim në Francë për atë që disa e konsideruan si një poshtërim kombëtar.