Sulmi me dron rus në Kiev lë tre të vdekur dhe dhjetëra të plagosur

Sulmi me dron rus në Kiev lë tre të vdekur dhe dhjetëra të plagosur

Bota October 26, 2025 - 23:17

Një sulm i natës me dron rus në kryeqytetin ukrainas ka shkaktuar vdekjen e tre personave dhe plagosjen e 27 të tjerëve, përfshirë gjashtë fëmijë, njoftoi kryebashkiaku i qytetit, Vitali Klitschko.

Kreu i administratës ushtarake të Kievit tha herët të dielën se disa dronë rusë po operonin mbi qytet dhe paralajmëroi banorët të qëndronin në strehimore.

Sipas Klitschkos, fragmentet e dronit ranë mbi një ndërtesë banimi nëntëkatëshe në lagjen verilindore Desnyansky, duke shkaktuar zjarre në disa apartamente.

Në një ndërtesë tjetër në të njëjtën zonë u shpëtuan pesë persona, ndërsa fragmente të tjera dëmtuan një apartament në një bllok 16-katësh në lagjen veriore Obolonsky.

Sulmet vijnë një ditë pas një serie të tjera sulmesh me dronë dhe raketa ruse në Kiev, ku katër persona humbën jetën dhe rreth 20 u plagosën, sipas autoriteteve ukrainase, raporton The Guardian.

Ndërkohë, përpjekjet diplomatike për një samit midis liderëve të SHBA-së dhe Rusisë duket se janë minimalizuar. Të shtunën, presidenti amerikan Donald Trump tha se nuk do të “humbiste kohën kot” për një takim me Vladimir Putin.

Komentet erdhën ndërsa negociatori i Kremlinit, Kirill Dmitriev, u takua me zyrtarë të administratës Trump, përfshirë të dërguarin special Steve Witkoff, dhe diskutimet pritej të vazhdonin të dielën.