Putin lavdëron testet e suksesshme të raketës me energji bërthamore
Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se Rusia ka testuar me sukses raketën Burevestnik, e cila është e pajisur me motor me energji bërthamore dhe ka aftësi për mbajtjen e armëve bërthamore.
Tashmë, Moska po kërkon mënyra për ta përdorur atë në një kohë kur lufta e Kremlinit në Ukrainë po zvarritet.
Kremlini publikoi më 26 tetor një video nga një takim mes Putinit dhe shefit të shtabit të përgjithshëm, Valery Gerasimov, që raportohet se është zhvilluar në një lokacion të grupit të përbashkët të forcave.
Gerasimov tha se testi u krye pesë ditë më parë, kur raketa - për të cilën Moska pretendon se nuk mund të zbulohet nga asnjë sistem mbrojtës - përshkoi 14.000 kilometra dhe qëndroi në ajër për rreth 15 orë.
Raketa, e quajtur Skyfall nga NATO, është në zhvillim prej më shumë se një dekade. Ajo është një nga disa sistemet e reja në të cilat dizajnerët rusë janë përqendruar, ndërsa Kremlini derdh fonde në zhvillimin e armëve si pjesë e një gare armatimesh që nuk është pranuar zyrtarisht - kryesisht kundër Shteteve të Bashkuara.
“Testet vendimtare tani janë përfunduar”, tha Putin në video, duke shtuar se ai ka urdhëruar përgatitjen e “infrastrukturës për ta futur këtë armë në shërbim në forcat e armatosura ruse”.
Përparimi i projektit vjen ndërkohë që lufta e Putinit në Ukrainë ka hyrë në muajin e 45-të, me trupat ruse që po bëjnë përparime të vogla, hap pas hapi.
Kievi ka bërë presion mbi Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre perëndimorë për të ofruar armë me rreze më të gjatë veprimi, si raketat Tomahawk, për t’i mundësuar Ukrainës të godasë më thellë në territorin rus, në përpjekje për të fituar epërsi në luftë dhe për të forcuar pozicionin e saj në çdo bisedim paqeje - të cilat aktualisht duken të bllokuara.
Burevestnik funksionon në thelb përmes një reaktori të vogël bërthamor të integruar në motor, që teorikisht i mundëson të qëndrojë në ajër për disa ditë.
Kjo raketë ka tërhequr vëmendje të veçantë nga ekspertët e kontrollit të armëve dhe të inteligjencës, pjesërisht për shkak të teknologjisë që përdor, por edhe për shkak të dështimeve të saj të mëparshme.
Njoftimi i Putinit vjen në një kohë kur traktati New START, i cili kufizon arsenalet bërthamore të SHBA-së dhe Rusisë në 1.550 koka strategjike dhe 700 lëshues strategjikë për secilën palë, pritet të skadojë në fillim të vitit të ardhshëm.
Udhëheqësi rus së fundmi ka ofruar që vullnetarisht të respektojë kufijtë e traktatit për një vit, një propozim që presidenti amerikan, Donald Trump, e përshkroi si “më duket një ide e mirë.”
Një përpjekje e dështuar për të rikuperuar një raketë të fundosur - që besohet të ketë qenë Burevestnik - shkaktoi një shpërthim radioaktiv në një zonë të largët të Rusisë në vitin 2019, duke vrarë pesë persona, sipas dokumenteve, fotografive, imazheve satelitore dhe materialeve të tjera burimore të hapura të rishikuara nga Radio Evropa e Lirë.