
Liderët e BE-së synojnë t’i japin hua 140 miliardë euro Ukrainës nga asetet e ngrira ruse
Udhëheqësit e BE-së po takohen në Bruksel për të diskutuar për Ukrainën, mbrojtjen europiane, zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme e tema të tjera të brendshme.
Komisioni Europian tha se derisa Rusia vazhdon sulmet e saj të pamëshirshme kundër civilëve dhe infrastrukturës së Ukrainës, udhëheqësit e BE-së do të diskutojnë hapa konkretë se si të rrisin mbështetjen për Ukrainën dhe të rrisin presionin mbi Rusinë në ndjekje të paqes.
BE pritet që të bjerë dakord parimisht sot për të financuar Ukrainën për dy vitet e ardhshme, tha kreu i Këshillit të BE-së, Antonio Kosta, pavarësisht kërcënimit të Belgjikës për të bllokuar planin që synon përdorimin e aseteve të ngrira ruse për të ndihmuar Kievin.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ftuar në samitin e BE-së në Bruksel, tha se miratimi i shpejtë i planit për përdorimin e aseteve të ngrira ruse për t’i siguruar Ukrainës një hua prej 140 miliardë eurosh do të shpëtonte jetë, siç raporton Reuters, transmeton Gazeta Express.
Kryeministri belg Bart De Wever, vendi i të cilit mban asetet e ngrira që do të përdoren në skemë, nëpërmjet depozituesit të letrave me vlerë Euroclear, paraqiti tri kërkesa për të garantuar që vendi i tij nuk do të merrte përsipër të gjitha rreziqet.
“Nëse kërkesat plotësohen, mund të ecim përpara. Nëse jo, do të bëj gjithçka që është në fuqinë time në nivel europian, gjithashtu në nivel kombëtar, politikisht dhe ligjërisht për të ndaluar këtë vendim”, tha De Wever me të mbërritur në samit.
Costa para samitit kishte thënë se “qëllimi ynë i përbashkët mbetet një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme për Ukrainën.
“Mbështetja ushtarake, financiare dhe diplomatike, si dhe garancitë e sigurisë, janë thelbësore për arritjen e saj”.
Deri më sot, BE-ja dhe shtetet e saj anëtare kanë ofruar 177.5 miliardë euro mbështetje për Ukrainën, duke përfshirë 63.2 miliardë euro mbështetje ushtarake.