Itali: Shpërthim bombe pranë shtëpisë së gazetarit italian Sigfrido Ranucci

Itali: Shpërthim bombe pranë shtëpisë së gazetarit italian Sigfrido Ranucci

Bota October 17, 2025 - 15:53

Një bombë shpërtheu mbrëmjen e së enjtes jashtë banesës së një prej gazetarëve më të njohur investigativë në Itali, Sigfrido Ranucci, duke shkaktuar dëme në dy automjete të familjes së tij dhe duke nxitur reagime solidariteti nga kolegë dhe politikanë.

Ranucci, i cili drejton emisionin javor investigativ “Report” në transmetuesin shtetëror RAI, ka qenë prej vitesh nën mbrojtje policore për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme. Ai tha se si ai personalisht, ashtu edhe redaksia e tij, kanë marrë në mënyrë të përsëritur kërcënime, përfshirë edhe dërgimin e plumbave.

Sipas gazetarit, mjeti shpërthyes ishte i thjeshtë dhe peshonte rreth 1 kilogram. Ai ishte vendosur jashtë portës së shtëpisë së tij në Campo Ascolano, rreth 30 kilometra në jug të Romës. Shpërthimi ndodhi në orën 22:17, vetëm 20 minuta pasi Ranucci ishte kthyer në shtëpi, duke shkatërruar dy automjete – një në pronësi të gazetarit dhe tjetri i vajzës së tij.

Fatmirësisht, askush nuk u lëndua. “Përveç tronditjes, gjithçka është në rregull”, deklaroi Ranucci.

Agjencia italiane e lajmeve ANSA njoftoi se prokurorët antimafia kanë hapur një hetim për dëmtim të qëllimshëm me rrethana rënduese të metodave mafioze.

Ngjarja ka shkaktuar shqetësim të madh në opinionin publik italian dhe ka sjellë një valë mbështetjeje për gazetarin nga personalitete të njohura të politikës dhe medias.  /abcnews