Trumpi dhe Putini do të takohen në Budapest për bisedime

Trumpi dhe Putini do të takohen në Budapest për bisedime

Bota October 16, 2025 - 20:34

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, janë pajtuar për t’u takuar në Budapest të Hungarisë, pas një bisede telefonike që e zhvilluan të enjten, një ditë para vizitës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Uashington.

“U pajtuam që javën e ardhshme të zhvillohet një takim i këshilltarëve tanë të nivelit të lartë… Presidenti Putin dhe unë më pas do të takohemi në vendin për të cilin u morëm vesh, pra në Budapest, Hungari”, shkroi Trump të enjten në mbrëmje në platformën e tij Truth Social.

Presidenti i Hungarisë, Viktor Orban, tha se vendi i tij është bërë tashmë “gati” për t’i pritur Trumpin dhe Putinin.

“Takimi i planifikuar midis presidentëve, amerikan dhe rus, është lajm i shkëlqyer për njerëzit që duan paqe në mbarë botën”, shkroi Orban në X.

Trumpi shtoi se do të takohet me Putinin në Budapest “për të parë nëse mund ta përfundojmë këtë luftë ‘të palavdishme’ midis Rusisë dhe Ukrainës”.

Ai gjithashtu tha se delegacioni amerikan, që do të zhvillojë bisedimet me palën ruse para takimit të tij me Putinin, do të udhëhiqet nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio. Trump theksoi se vendndodhja e këtyre bisedimeve paraprake ende nuk është përcaktuar.

Si Kremlini, ashtu edhe Shtëpia e Bardhë, e përshkruan telefonatën midis Trumpit dhe Putinit si “të mirë” dhe “frytdhënëse”.

Kirill Dmitriev, një figurë e lidhur ngushtë me Kremlinin dhe drejtues i Fondit Rus të Investimeve të Drejtpërdrejta, tha se biseda “përcaktoi qartë hapat e ardhshëm”./REL