Trump: Faza e dytë e marrëveshjes për Gazën nis tani

Trump: Faza e dytë e marrëveshjes për Gazën nis tani

Bota October 14, 2025 - 19:44

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha më 14 tetor se faza e dytë e marrëveshjes për paqe në Gazë nis tani.

Përmes një postimi në Truth Social, Trump i bëri thirrje Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – të lirojë trupat e mbetur të pengjeve të vrarë, duke thënë se ky hap është i nevojshëm për të lëvizur në fazën e dytë.

“Një barrë e madhe është hequr, por PUNA NUK KA PËRFUNDUAR. TË VDEKURIT NUK JANË KTHYER, SIÇ ËSHTË PREMTUAR”, shkroi Trump, një ditë pasi qëndroi në Izrael dhe Egjipt për të festuar marrëveshjen për përfundimin e luftës.

“Faza e dytë nis TANI”, shtoi ai.

Një ditë më parë, Hamasi liroi të 20 pengjet e gjalla, teksa Izraeli në këmbim liroi afër 2.000 palestinezë që ishin në burgjet izraelite.Hamasi po ashtu ka dorëzuar te Kryqi i Kuq mbetjet mortore të disa pengjeve të vdekura. Kjo organizatë më pas ia ka dorëzuar trupat Izraelit.

Izraeli dhe Hamasi kanë pranuar një plan prej 20 pikash të prezantuar nga Trumpi. Faza e parë e planit parasheh lirimin e pengjeve, armëpushimin në Gazë - i cili ka nisur të zbatohet.

Plani po ashtu parasheh çarmatosjen e Hamasit, kërkesë e parashtruar edhe më herët nga Izraeli, por që nuk ishte pranuar nga Hamasi.

Gjatë qëndrimit në Izrael më 13 tetor, Trump tha se të gjithë janë dëshmitarë të një agimi historik të një Lindjeje të Mesme të re.

Më pas ai shkoi në Egjipt, në një samit ku morën pjesë mbi 20 udhëheqës botërorë. Gjatë samitit, ai dhe udhëheqësit e Katarit, Egjiptit dhe Turqisë nënshkruan planin për paqe në Gazë.

Lufta në Gazë nisi më 7 tetor 2023 pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 251 të tjerë. Si pasojë e ofensivës hakmarrëse të Izraelit, në Rripin e Gazës janë vrarë më shumë se 67.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në këtë enklavë./REL