
Të paktën 30 të vrarë në Gaza që kur u shpall marrëveshja e armëpushimit
Të paktën 30 persona janë vrarë në Gaza që nga dje, kur Izraeli dhe Hamasi ranë dakord për një marrëveshje armëpushimi, sipas një zyrtari palestinez të shëndetësisë, vetëm disa orë pasi banorët raportuan re tymi dhe shpërthime në enklavë.
Një sulm izraelit ndaj shtëpisë së familjes Ghaboun të enjten mbrëma në lagjen Al-Sabra në veri të Gazës, ka zënë nën rrënoja më shumë se 40 palestinezë, ka njoftuar Shërbimi i Mbrojtjes Civile i Gazës.
Të paktën gjashtë persona janë vrarë nga sulmi, ka thënë për CNN drejtori i spitalit lokal Al-Shifa, Dr. Mohammed Abu Salmiya. Në total, 30 palestinezë janë vrarë që nga e mërkura në mbrëmje, sipas Abu Salmiyas.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit kanë deklaruar se kanë “goditur një celulë terroriste të Hamasit” në veri të Gazës, e cila “vepronte në afërsi të trupave izraelite” dhe “përbënte një kërcënim të menjëhershëm”. CNN nuk ka mundur ta verifikojë këtë deklaratë të ushtrisë izraelite.
Pamjet e Mbrojtjes Civile nga pasojat treguan ekipet e shpëtimit duke gërmuar me dëshpërim përmes grumbujve të hirit dhe mbeturinave, teksa përpiqeshin të nxirrnin burra, gra dhe fëmijë nga rrënojat. /Zëri