
Izraeli dhe Hamasi dakordohen për fazën e parë të planit të paqes
Izraeli dhe Hamasi e kanë arritur një marrëveshje të shumëpritur të mërkurën vonë për armëpushim dhe për lirimin e pengjeve – që është faza e parë e planit të presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës në Gazë, e cila ka vrarë mbi 67.000 njerëz dhe ka ndryshuar Lindjen e Mesme.
Vetëm një ditë pas përvjetorit të dytë të sulmit vdekjeprurës të Hamasit – grupit palestinez të shpallur terrorist nga SHBA dhe vende të tjera – i cili e nxiti luftën shkatërruese në Gazë, bisedimet e tërthorta në Egjipt sollën një marrëveshje për fazën fillestare të planit 20-pikësh të Trumpit për të sjellë paqe në enklavën palestineze.
Nëse zbatohet plotësisht, marrëveshja do t’i afronte të dyja palët më shumë se çdo përpjekje e mëparshme për t’i dhënë fund një lufte që u shndërrua në një konflikt rajonal, duke përfshirë vende si Irani, Jemeni dhe Libani, duke thelluar izolimin ndërkombëtar të Izraelit dhe duke ndryshuar dinamikat në Lindjen e Mesme.

Lajmi për marrëveshjen nxiti festë në Izrael, Gazë dhe më gjerë.
Familjet e pengjeve izraelite hodhën fishekzjarrë, ndërsa palestinezët duartrokitën dhe brohoritën me shpresën se gjakderdhja do të ndalet.
“Falënderuar qoftë Zoti për këtë armëpushim, për ndaljen e gjakderdhjes dhe vrasjeve”, tha Abdul Majeed abd Rabbo, banor i qytetit Han Junis në jug të Gazës.
“Nuk jam vetëm unë i lumtur, e gjithë Rripi i Gazës është i lumtur, të gjithë njerëzit arabë, gjithë bota është e lumtur për armëpushimin dhe për fundin e gjakderdhjes”, shtoi ai.
Por, marrëveshja e shpallur nga Trumpi të mërkurën vonë dha pak hollësi dhe la shumë pyetje të hapura që mund akoma mund të bëjnë që ajo të dështojë, ashtu siç ka ndodhur me përpjekjet e mëparshme për paqe.
“Jam shumë krenar të njoftoj se Izraeli dhe Hamasi kanë nënshkruar fazën e parë të Planit tonë të Paqes”, tha Trump në platformën Truth Social.
“Kjo do të thotë se të gjitha pengjet do të lirohen shumë shpejt, dhe Izraeli do të tërheqë trupat e tij deri në një shkallë të dakorduar, si hapat e parë drejt një Paqeje të Fortë, të Qëndrueshme dhe të Përhershme”, shtoi ai.

Zbatimi i marrëveshjes do të përbënte një arritje të rëndësishme në politikën e jashtme për presidentin republikan, i cili kishte premtuar të sillte paqe në konfliktet kryesore botërore, por ka hasur në vështirësi për t’i realizuar ato shpejt, si në Gazë, ashtu edhe për pushtimin e Ukrainës nga Rusia.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se do ta thërrasë kabinetin e vet qeveritar të enjten për të miratuar marrëveshjen.
“Me miratimin e fazës së parë të planit, të gjitha pengjet tona do të kthehen në shtëpi”, tha ai në një deklaratë.
“Kjo është një arritje diplomatike dhe një fitore kombëtare e morale për shtetin e Izraelit”, shtoi ai.

Hamasi konfirmoi se ka arritur një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës, duke thënë se ajo përfshin tërheqjen izraelite nga enklava dhe një shkëmbim pengjesh me të burgosur.
“Ne pohojmë se sakrificat e popullit tonë nuk do të jenë të kota dhe se do t’i qëndrojmë besnikë zotimit tonë; kurrë nuk do t’i braktisim të drejtat kombëtare të popullit tonë derisa të arrihet liria, pavarësia dhe vetëvendosja”, tha Hamasi.
Autoritetet e Gazës thonë se mbi 67.000 njerëz janë vrarë dhe pjesa më e madhe e enklavës është shkatërruar qëkurse Izraeli e filloi ofensivën ushtarake pas sulmit përtej kufirit nga Hamasi më 7 tetor 2023.
Sipas zyrtarëve izraelitë, rreth 1.200 njerëz u vranë më Izrael dhe 251 u morën peng e u dërguan në Gazë. Besohet se 20 nga 48 pengjet e mbetura në Gazë janë ende gjallë.
Pavarësisht shpresave për t’i dhënë fund luftës, ende nuk janë bërë të ditura hollësitë thelbësore – përfshirë afatet kohore, administrimi i Rripit të Gazës pasluftës dhe fati i Hamasit. /REL