
Presidenti argjentinas organizon koncert roku për të shmangur krizën politike
Presidenti i Argjentinës, Javier Milei, i njohur ndryshe si “Presidenti yll i rokut” është përballur kohët e fundit me sfida të thella në drejtimin e vendit, mes protestash, krizash financiare dhe skandalesh korrupsioni, shkruan The Gurdian.
Të hënën në mbrëmje, në një përpjekje për të dal nga rrëmuja e tij, presidenti libertarian 54-vjeçar u ngjit në skenën e Movistar Arena në Buenos Aires, përballë një turme me mijëra mbështetës, në një koncert me nëntë këngë ku performoi kryesisht këngë roku të viteve ’80.
I veshur me xhaketë lëkure dhe me flokë të çrregullt, Milei ngriti duart në ajër dhe deklaroi: “Unë jam njeri. Mund të mos duket, por unë jam.”
Milei fitoi pushtetin pothuajse dy vjet më parë, duke u zotuar të shpëtonte ekonominë famëkeqe të Argjentinës duke “shfarosur” inflacionin dhe duke përdorur një sharrë elektrike metaforike për shpenzimet shtetërore.
“Ashtu si rënia e Murit të Berlinit që shënoi fundin e një epoke tragjike për botën, këto zgjedhje përfaqësojnë një pikë kthese në historinë tonë”, deklaroi Milei.
Për njëfarë kohe, fushata e egër e masave shtrënguese të Mileit dukej se po funksiononte, ndërkohë, Donald Trump përgëzoi përpjekjen e Milei-t për ta “Bërë Argjentinën të Madhe Përsëri”.
Megjithatë, në javët e fundit, duket se revolucioni i Mileit ka lënë gjurmë. Dyshimet mbi të ardhmen e tij politike kanë trembur tregjet dhe kanë shkaktuar një shitje të ndjeshme të monedhës argjentinase, peso, me qeverinë që po shteron rezervat e saj të pakta ndërkombëtare në mënyrë që të përmbajë këtë rritje.
Në shtator, partia e tij La Libertad Avanza pësoi një humbje në zgjedhjet provinciale në Buenos Aires, një rajon ku jeton gati 40% e popullsisë së vendit.
Edhe besnikët e Mileit që u mblodhën në koncertin e së hënës pranuan se Argjentina ishte në gjendje të tmerrshme.
Sipas raportimeve, kriza është aq e rëndë sa muajin e kaluar Trump ndërhyri me një paketë shpëtimi emergjente deri në 20 miliardë dollarë, i cili deklaroi se: “Ne po e mbështesim atë 100%, mendojmë se ai po bën një punë fantastike.”
Facundo Nejamkis, drejtori i firmës konsulente Opina Argjentina, përshkroi “një disonancë në rritje midis mënyrës se si qeveria e paraqet veten dhe realitetit që jetojnë njerëzit”.
“Qeveria foli për një ‘mrekulli’ që asnjë argjentinas nuk mund ta shohë në jetën e tij të përditshme”, shtoi ai.
Nejamkis e pa koncertin e së hënës si një përpjekje për të ringjallur lëvizjen e lëkundur të Milei-t. “Por jashtë zonës, edhe mbështetësit e zjarrtë të Milei-t pyesnin veten nëse ishte një veprim i mençur, duke pasur parasysh erërat e vështira që po e godisnin kauzën e tyre”, ka deklaruar më tej ai./dukagjini