Nobelin për Kimi e fitojnë tre shkencëtarë për punën në kornizat metalo-organike
Foto: Reuters

Nobelin për Kimi e fitojnë tre shkencëtarë për punën në kornizat metalo-organike

Bota October 08, 2025 - 14:21

Çmimi Nobel për Kimi u është ndarë shkencëtarëve Susumu Kitagawa, Richard Robson dhe Omar M Yaghi për punën e tyre në kornizat metalo-organike.

Puna e të tre shkencëtarëve do të mundë të përdoret për t’i luftuar disa prej problemeve më të mëdha në planet, përfshirë kontrollimin e dioksidit të karbonit, që mund të ndihmojë në luftimin e ndryshimeve klimatike, apo edhe në zvogëlimin e ndotjes plastike, duke përdorur elementë kimikë.

Të tre fituesit do të ndajnë një çmim prej 11 milionë krunave suedeze (rreth 1 milion euro).

Puna e tre shkencëtarëve bazohet në atë se si mund të ndërtohen molekulat në struktura. Komiteti i Nobelit e ka quajtur punën e tyre “arkitekturë molekulare”.

Të tre burrat kanë punuar për të ndërtuar konstruksione me hapësira të mëdha mes molekulave, përmes së cilave mund të qarkullojnë gazra dhe kemikale tjera. Ato quhen korniza metalo-organike.

Njoftimi është bërë nga Akademia Mbretërore e Shkencave në Suedi, në një konferencë për media në Stokholm.

Profesori Kitagawa punon në Universitetin e Kjotos në Japoni, profesori Richard Robson në Universitetin e Melburnit në Australi dhe profesori Omar M. Yaghi në Universitetin e Kalifornisë në Shtetet e Bashkuara.

Vitin e kaluar këtë çmim e kanë fituar shkencëtarët Demis Hassabis, John Jumper dhe David Baker për punën e tyre në proteina, të cilat i ndërtojnë blloqet e jetës.

Më herët gjatë javës janë ndarë edhe çmimet Nobel për Fizikë dhe Mjekësi. /Rel