
Erdogan: Trumpi i kërkoi Turqisë të bindë Hamasin për paqe në Gazë
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan tha se Presidenti amerikan Donald Trump i kërkoi Turqisë të bisedojë me Hamasin dhe ta bindë grupin që të pranojë një plan paqeje për Gazën, dhe se Hamasi ka reaguar pozitivisht ndaj përpjekjeve ndërmjetësuese.
“Zoti Trump kërkoi posaçërisht që ne të flisnim me Hamasin dhe ta bindnim Hamasin” deklaroi Erdogan të mërkurën, duke folur para gazetarëve të martën pas vizitës së tij në Azerbajxhan për Samitin e 12-të të Organizatës së Shteteve Turke.
“Ne menjëherë kemi kontaktuar homologët tanë për këtë çështje”, shtoi ai.
Presidenti Erdogan deklaroi se kërkesa ishte bërë si gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe gjatë telefonatës së tyre më të fundit.
Erdogan tha se Hamasi ka shprehur gatishmëri për paqe dhe negociata pas ndërmjetësimit të Turqisë.
“Hamasi, me përgjigjen që dha, na shprehu se është i gatshëm për paqe dhe negociata,” tha Erdogan, duke shtuar: “Nuk hyri në ndonjë qëndrim të kundërt. Kjo, sipas mendimit tim, është një hap shumë i vlefshëm. Hamasi po ecën përpara Izraelit”.
Erdogan theksoi rëndësinë e qëndrimit të Hamasit, duke pasur parasysh humbjet që grupi ka pësuar në konflikt.
“Pse e them këtë? Sepse ka pësuar shumë humbje,” tha Erdogan, duke vënë në dukje: “Ka mbi 100,000 të plagosur”.
“Të gjitha vendet ku qëndronin janë rrafshuar me tokë. Ata tashmë nuk kanë as ku të strehohen”.
Ai e krahasoi përgjigjen e Hamasit me qëndrimin e Izraelit, duke thënë se Turqia nuk ka parë që Izraeli të tregojë qëndrime po aq konstruktive.
“Nuk presim as një qëndrim të tillë nga ata”, tha Erdogani.
“I thashë zotit Trump se ne e mbështesim përpjekjen e tij për paqe”, tha Erdogani, duke shtuar: “E kemi bërë këtë të ditur edhe publikisht”.
Ai tha se Turqia është e gatshme të mbështesë të gjitha përpjekjet për paqe në Gazë, duke përfshirë rolet e mundshme në një këshill paqeje dhe në një forcë ndërkombëtare stabiliteti të propozuar në kuadër të planit të paqes së Trumpit.
“Kur themi ‘do të mbështesim të gjitha përpjekjet’, e kemi bërë këtë deklaratë duke marrë parasysh të gjitha mundësitë”, tha Erdogani.