
Macroni nën presion për dorëheqje ose zgjedhje të reja
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, është nën presion të madh për të thirrur zgjedhje të parakohshme parlamentare ose për të dhënë dorëheqje, derisa ish-aleatët e tij po i bashkohen kundërshtarëve duke kërkuar që ai të veprojë për t’i dhënë fund krizës politike në rritje në këtë shtet, raportoi të mërkurën “The Guardian”.
Kryeministri i parë nën mandatin e Macronit president, Edouard Philippe, i kërkoi të martën atij të japë dorëheqje mes shqetësimeve për periudhat më të vështira të kaosit politik në Francë që nga themelimi i Republikës së Pestë në vitin 1958.
Philippe, kryeministër nga viti 2017 deri në vitin 2020 dhe tani udhëheqës i një partie aleate me Macronin, tha se duhet të shpallë zgjedhje të parakohshme presidenciale sapo të miratohet buxheti për vitin e ardhshëm.
“Nuk do ta zgjasim atë që kemi përjetuar gjatë gjashtë muajve të fundit. Edhe 18 muaj të tjerë janë shumë të gjatë dhe po dëmtojnë Francën. Loja politike që po luajmë sot është shqetësuese”, ka thënë Philippe.
Gabriel Attal mandati i shkurtër i të cilit si kryeministri më i ri i të gjitha kohërave në Francë përfundoi vitin e kaluar kur Macroni shpalli zgjedhjet e parakohshme – tha se nuk i kuptonte më vendimet e presidentit.
Attal, i cili tani drejton partinë kryesore pro-Macron, u tha mediave franceze se pasi ia doli mbanë me pesë kryeministra në më pak se dy vjet, është koha për të provuar diçka tjetër, duke kritikuar atë që ai e quajti “vendosmëri e Macronit për të mbajtur kontrollin”.
Thirrjet erdhën pasi kryeministri në largim, Sebastien Lecornu, i cili u emërua vetëm 28 ditë më parë, dha dorëheqjen të hënën së bashku me kabinetin e tij 14-orësh, por iu kërkua nga Macroni të zhvillojë bisedime të fundit me udhëheqësit e partisë në përpjekje për të siguruar mbështetje.
Franca ka qenë në krizë politike për më shumë se një vit që nga zgjedhjet e vitit 2024 të thirrura në përgjigje të sukseseve të ekstremit të djathtë në zgjedhjet parlamentare evropiane atë vit – të cilat prodhuan një parlament të ndarë midis tre blloqeve pak a shumë të barabarta: e majta, e djathta ekstreme dhe aleanca e qendrës së djathtë e Macronit, pa shumicë.
Ndër opsionet e tjera, Macroni mund të riemërojë Lecornun, të zgjedhë një kryeministër tjetër të ri, i cili do të bëhej i teti i tij, ose të shpërndajë përsëri parlamentin dhe të mbajë zgjedhje të reja parlamentare.