
Khaled el-Anani, egjiptiani i parë drejtor i UNESCO-s
UNESCO pritet të ketë për herë të parë një drejtor nga bota arabe, pasi ish-ministri egjiptian i Turizmit dhe Antikiteteve, Khaled el-Anan u përzgjodh dje nga bordi ekzekutiv i organizatës, sipas AP.
Nëse konfirmohet nga Asambleja e Përgjithshme muajin e ardhshëm, ai do të marrë drejtimin e një agjencie që po përballet me pasoja financiare pas vendimit të administratës Trump për tërheqjen e Shteteve të Bashkuara,një goditje për organizatën e njohur për “vendndodhjet e Trashëgimisë Botërore në mbarë globin.
El-Anani, i konsideruar favorit për postin e drejtorit të përgjithshëm, fitoi në votimin e djeshëm ndaj rivalit të tij të vetëm, Firmin Edouard Matoko, ekonomist nga Republika e Kongos, i cili është njohur për nismat arsimore në kampet e refugjatëve.
Vendimi i bordit, që përfaqëson 58 nga 194 shtetet anëtare të agjencisë, pritet të zyrtarizohet gjatë takimit të Asamblesë së Përgjithshme të UNESCO-s muajin e ardhshëm në Uzbekistan.
Përveç mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe natyrore, Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë UNESCO, me seli në Paris, punon për të siguruar arsim për vajzat, për të promovuar ndërgjegjësimin ndaj Holokaustit dhe për të financuar kërkime shkencore në vendet në zhvillim.
Drejtoresha në largim, Audrey Azoulay, u bë e njohur për përpjekjet për rindërtimin e qytetit të lashtë irakian të Mosulit, të shkatërruar nga grupi Shteti Islamik.
Megjithatë, UNESCO është përballur shpesh me akuza për keqmenaxhim dhe shpërdorim fondesh. Ish-presidenti amerikan Donald Trump e kritikoi organizatën pasi ajo pranoi Palestinën si anëtare në vitin 2011, duke e cilësuar “tepër të politizuar dhe anti-izraelite”. Mbështetësit e UNESCO-s në SHBA argumentojnë se largimi i Uashingtonit i jep Kinës një ndikim të tepërt në organizatë. /oranews
El-Anani, 54 vjeç, ka punuar si udhërrëfyes në vendndodhjet e lashta egjiptiane, ka marrë doktoraturën në Francë dhe është bërë egjiptolog i njohur përpara se të hynte në politikë.
Ai drejtoi Ministrinë e Antikiteteve nga viti 2016 deri në 2019 dhe më pas Ministrinë e bashkuar të Turizmit dhe Antikiteteve për dy vjet.
Aktualisht është profesor universiteti në Kajro. Kandidatura e tij është mbështetur gjerësisht nga Lidhja Arabe dhe Bashkimi Afrikan.