Ukrainë, 5 persona të vrarë nga sulmet ruse

Ukrainë, 5 persona të vrarë nga sulmet ruse

Bota October 05, 2025 - 20:06

Së paku pesë persona janë vrarë dhe dhjetëra mijëra familje kanë mbetur pa energji elektrike si pasojë e sulmeve ruse kundër infrastrukturës energjetike të Ukrainës. Bëhet e ditur se Ukraina ka vazhduar me fushatën e goditjeve të industrisë ruse të naftës dhe gazit.

Rusia ka vazhduar me valë masive të fluturakeve pa pilot dhe raketave të lansuara kundër infrastrukturës energjetike ukrainase, duke goditur caqe në pjesë të ndryshme të vendit, sipas njoftimeve, edhe pse mbrojtja ajrore e Ukrainës ka arritur të rrëzojë, apo ndalojë pjesën më të madhe të raketave dhe fluturakeve, disa prej tyre kanë arritur të godasin caqe, duke shkaktuar viktima dhe dëme materiale.

Është njoftuar se së paku 5 civilë janë vrarë gjatë kësaj vale të sulmeve, 4 prej të cilëve i takonin të njëjtës familje. Sipas njoftimeve at u vranë kur një fluturake pa pilot goditi shtëpinë e tyre në afërsi të  qytetit Lviv, i cili ka qenë njëri prej caqeve kryesore të valës së sulmeve të natës së kaluar.

Përveç Lvivit, Rusia goditi infrastrukturë energjetike edhe në Zaporizhzhia , Chernihiv dhe Sumy, duke lënë dhjetëra mijëra familje pa energji elektrike.

 Sulmet e drejtuara kundër infrastrukturës së energjisë në Ukrainë vijnë pak pasi që presidenti amerikan Trump tha se do të përkrahë Ukrainën në lansimin e sulmeve në thellësi të territorit rus dhe besohet të kenë për qëllim shkatërrimin e rrjetit elektrik ukrainas para fillimit të dimrit, duke e vështirësuar kështu jetën e civilëve.

Ndërkohë, nga Rusia njoftohet se forcat ukrainase kanë vazhduar me sulme kundër infrastrukturës së naftës dhe gazit në Rusi, duke shënjestruar rafineri të naftës dhe gazit në disa pjesë të vendit, edhe pse Rusia mban të fshehta informatat për dëmet e shkaktuara nga Ukraina, disa analistë kanë thënë se si pasojë e kësaj strategjie të Kievit, deri më tani, është shkatërruar rreth 40 % të kapacitetit rus të rafinimit, përderisa raportet për mungesa të naftës dhe gazit po vijnë çdo herë e më shumë në rajonet ruse./rtk