
Serbi: NIS-i kërkon sërish shtyrjen e sanksioneve amerikane
Më 3 tetor, pak para mesnatës, Industria e Naftës e Serbisë (NIS) i ka bërë kërkesë të re administratës së Shteteve të Bashkuara për shtyrjen e sanksioneve amerikane.
Siç është thënë në deklaratën e kompanisë, NIS-i i ka dërguar Departamentit amerikan të Thesarit “kërkesë të re për lëshimin e një licence të posaçme, që do t’ia mundësojë kompanisë operimin pas 8 tetorit”, datë kur skadon afati i licencës paraprake.
“Më 28 shtator, NIS-i ka dorëzuar kërkesë për largim prej listës së sanksioneve, një proces i gjatë dhe kompleks, dhe kërkesa fillestare është dërguar më 14 mars të këtij viti”, është bërë e ditur në deklaratë.
Deri më tani, sanksionet janë shtyrë tetë herë.
Shtetet e Bashkuara e kanë vendosur NIS-in, e cila është në pjesën më të madhe në pronësinë ruse, në listën e sanksioneve në janar, për shkak të të ashtuquajturit rrezik sekondar.
Sanksionet, mes tjerash, parandalojnë financimin e luftës së Moskës në Ukrainë, përmes parave që siguron ajo nga kompanitë ruse të energjisë.
Ndonëse struktura e pronësisë së NIS-it ka ndryshuar disa herë, pjesa e saj më e madhe është ende në pronësi të kompanive ruse.
Gazpromi është larguar prej NIS-it në shtator dhe një tjetër kompani e kontrolluar nga Gazpromi – Inteligjenca prej Shën Petersburgut – është bërë njëra prej pronareve kryesore, me 11.3 për qind të aksioneve.
Pjesën më të madhe të aksioneve në NIS e ka Gazprom Neft, nëndegë e Gazpromit, diku rreth 44.9 për qind, ndërsa shteti i Serbisë i zotëron 29.9 për qind të aksioneve.
Pjesën tjetër të aksioneve e kanë kompani më të vogla./REL