Droni vret fotoreporterin francez Antoni Lallican

Droni vret fotoreporterin francez Antoni Lallican

Bota October 03, 2025 - 20:51

Antoni Lallican, një fotoreporter me përvojë me bazë në Paris, u vra nga një dron në rajonin lindor të Donbasit të Ukrainës të premten në mëngjes, ndërsa ishte në detyrë, thanë Federatat Evropiane dhe Ndërkombëtare të Gazetarëve dhe Unioni Kombëtar Francez i Gazetarëve.

Gazetari ukrainas Heorgiy Ivanchenko u raportua i plagosur në të njëjtin sulm. Thuhet se të dy kishin veshur jelekë mbrojtës me mbishkrimin “Press”.

Ishte hera e parë që një gazetar vritet nga një dron në Ukrainë, tha një deklaratë nga Federata Evropiane e Gazetarëve, trasnmeton Klankosova.tv.

“Sot, në Ukrainë, kërcënimi kryesor për gazetarët, si për të gjithë civilët, janë dronët rusë që gjuajnë njerëz,” tha Sergiy Tomilenko, president i Unionit Kombëtar të Gazetarëve të Ukrainës (NUJU). “Këta nuk janë viktima anësore të luftës. Duke synuar gazetarët, ushtria ruse po gjuan qëllimisht ata që përpiqen të dokumentojnë krimet e luftës.”

Puna e Lallican është botuar në disa media, duke përfshirë gazetat franceze, Le Monde, Le Figaro dhe Libération, si dhe botimet gjermane Der Spiegel, Zeit dhe Die Welt.

Ai udhëtoi për në Ukrainë në mars të vitit 2022, pak pasi Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë, dhe punoi gjerësisht në vend, duke dokumentuar pasojat e luftës.

Puna e tij u përqendrua te banorët e pellgut minerar të Donbasit në juglindje të Ukrainës.

Në janar, ai fitoi Çmimin Victor Hugo 2024 për Fotografi të Angazhuar për reportazhin e tij mbresëlënës, “Papritmas qielli u errësua”, mbi luftën e Ukrainës.