
Franca në valë protestash, 76 mijë policë në gatishmëri
Sindikatat franceze vijuan sot, 2 tetor, grevën kombëtare për të kërkuar “drejtësi sociale” në Paris, ndërkohë që kryeministri i ri, Sébastien Lecornu do të paraqesë një listë me shkurtime në buxhet për të ulur borxhin e lartë të Francës.
Dy javë më parë, më shumë se 500 mijë protestues dolën në rrugë në ditën e parë të grevës. Kësaj radhe, pjesëmarrja ishte rreth 30% më e ulët, mes 300 mijë dhe 350 mijë vetëve, me rreth 250 tubime të shpallura në mbarë vendin.
Në kryeqytet, thuhet se ishin deri në 40 mijë protestues. Marshimi i sindikatave nisi në orën 14:00 nga Place d’Italie deri te Place Vauban, pranë Asamblesë Kombëtare.
Rreth 5 mijë forca policore janë dislokuar vetëm në Paris për të garantuar rendin e sigurinë. Në shkallë kombëtare, janë mobilizuar rreth 76 mijë policë.
Në aeroportet e Parisit, një numër i konsiderueshëm punonjësish i janë bashkuar grevës, gjë që mund të shkaktojë disa vonesa në fluturime.
Greva ka prekur edhe shkollat. Sipas sindikatës Snes-FSU, rreth 27% e stafit arsimor, përfshirë mësues, psikologë dhe asistentë, kanë hyrë në grevë.
Njëkohësisht, nxënësit kanë bllokuar disa shkolla në Paris, Bordeaux dhe Montpellier, duke protestuar kundër planeve të mundshme për shkurtime buxhetore vitin e ardhshëm.
Kulla Eiffel, është mbyllur sot për publikun për shkak të grevës së përgjithshme. Sindikata CGT deklaroi se shumica e stafit votuan në favor të ndërprerjes së punës. Ky është rasti i dytë brenda muajit që Kulla mbyllet për shkak të protestave.
Raportohet po ashtu se manifestimet e mbajtura më 10 shtator, 18 shtator dhe këtë të enjte kanë mbledhur në total mbi 2 milionë pjesëmarrës, çka sindikata e cilëson “një ringjallje historike të aktivizmit social”.
Defiçiti buxhetor i Francës vitin e kaluar arriti në 5.8% të PBB-së, gati dyfishin e kufirit të BE-së prej 3%.
Klasa politike është e ndarë për mënyrën si duhet ulur defiçiti. Ish-kryeministri François Bayrou u rrëzua më 8 shtator pas planit të tij për shkurtime prej 44 miliardë eurosh.
Sébastien Lecornu, i emëruar në vend të tij, duhet të sigurojë mbështetje parlamentare për buxhetin 2026, ndërsa indikatat kërkojnë:
-më shumë fonde për shërbimet publike,
-taksa më të larta për të pasurit,
-heqjen e reformës së pensioneve
Zyra e kryeministrit ka bërë të ditur se po shqyrton disa opsione për lehtësira fiskale, nga ulja e taksave për çiftet me pak të ardhura, përjashtimi nga taksat për orët shtesë, rikthim i “bonusit Macron” i cili mund të jepet pa tatim e deri te lehtësirat për transfertat financiare.