Protesta anembanë botës pasi Izraeli ndalon flotën e ndihmave për në Gazë

Protesta anembanë botës pasi Izraeli ndalon flotën e ndihmave për në Gazë

Bota October 02, 2025 - 12:02

Protesta masive kanë shpërthyer në shumë qytete të botës pasi forcat izraelite ndërhynë dhe ndaluan flotën e ndihmave humanitare të njohur si "Global Sumud Flotilla", në të cilën po merrte pjesë edhe aktivistja e njohur për çështjet e klimës, Greta Thunberg.

Kjo flotë me mbi 40 anije kishte si qëllim të dërgonte ndihma urgjente për civilët në Rripin e Gazës, një zonë e goditur rëndë nga lufta dhe ku, sipas organizatave ndërkombëtare humanitare, në disa rajone tashmë është shpallur zyrtarisht uria.

Mjetet lundruese bartnin furnizime jetike si ushqime, ilaçe dhe pajisje mjekësore të domosdoshme për popullatën e bllokuar.

Ndërhyrja e Izraelit për të ndaluar flotën ka nxitur reagime të ashpra në mbarë globin. Në shumë vende u mbajtën protesta në shenjë solidariteti me misionin humanitar dhe për të dënuar ndalimin e tij.

Demonstruesit dolën në rrugë në qytete të mëdha të Italisë, Spanjës, Francës, Turqisë, Belgjika dhe shumë vende të tjera, duke mbajtur pankarta me mesazhe për paqe, drejtësi dhe mbështetje për popullin palestinez.

Shumë protestues e cilësuan ndalimin e flotës si një shkelje të së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe një pengesë të papranueshme ndaj përpjekjeve për të ndihmuar civilët në nevojë të dëshpëruar.

Aktivistë, organizata të të drejtave të njeriut dhe përfaqësues të shoqërisë civile kërkuan një përgjigje të fortë nga komuniteti ndërkombëtar dhe lehtësimin e menjëhershëm të qasjes për ndihma në Gaza.

Greta Thunberg, e cila ishte pjesë e kësaj nisme, përmes një deklarate tha se qëllimi i flotës ishte vetëm humanitar dhe se bllokimi i saj është një tregues i qartë i dështimit moral të politikave që pengojnë ndihmën për viktimat civile.

Ajo theksoi se solidariteti global është më i rëndësishëm se kurrë dhe se veprime të tilla nuk do të ndalin përpjekjet për drejtësi dhe ndihmë ndaj atyre që vuajnë. /Telegrafi