Pas mbylljes së qeverisë dobësohet dollari, ari arrin rekord të ri

Pas mbylljes së qeverisë dobësohet dollari, ari arrin rekord të ri

Bota October 01, 2025 - 16:15

Mbyllja e qeverisë amerikane shkaktoi trazira në tregje. Dollari amerikan ra në nivelin më të ulët një javor kundrejt valutave të tjera. Indeksi i dollarit të mërkurën u ul me 0.2%.

Edhe aksionet amerikanë ranë në mesjavë, ndërsa investitorët vlerësuan se pasojat e mbylljes së qeverisë amerikanë mund të ndërlikojnë edhe vendimmarrjet e Rezervës Federale për politikën monetare.

Mbyllja e qeverisë vjen në një kohë kur tregjet po mbështeteshin nga ulja e normave të interesit nga banka amerikane. E kundërta ka ndodhur me çmimet e arit pasi kanë shënuar një tjetër rritje duke arritur në 3 860 dollarë për onz. Metali i çmuar po përfiton nga dobësimi i dollarit por edhe pasiguritë në rritje jo vetëm prej mbylljes së qeverisë amerikane por edhe nga tensionet e përgjithshme gjeopolitike në botë.

Analistë të tregut thonë se kjo mund të shtyjë më tej çmimet e arit me objektiva që mund të arrijnë deri në 4 000 mijë dollarë për onz. Ari, si një strehë e sigurt investimi lulëzon në kohë pasigurish ekonomike e politike dhe në një mjedis me norma të ulëta interesi. Çmimet e metalit të ccmuar janë rritur me më shumë se 47% këtë vit.

Mbyllja e qeverisë veç luhatjes së tregjeve, mund të vonojë po ashtu edhe publikimin e të dhënave kryesore ekonomike të vendit, përfshirë raportin e pagave apo të punësimit, që së fundmi ka shkaktuar edhe debate të shumta në Amerikë. /abcnews