Trumpi mund të furnizojë Ukrainën me raketa me rreze të gjatë

Trumpi mund të furnizojë Ukrainën me raketa me rreze të gjatë

Bota September 29, 2025 - 19:40

SHBA-ja po shqyrton një kërkesë nga Ukraina për raketat me rreze të gjatë ‘Tomahawk’, ka thënë zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance.

Megjithatë, Vance shtoi se presidenti Donald Trump do të merrte “vendimin përfundimtar” për këtë çështje.

Ukraina ka kërkuar prej kohësh që partnerët e saj perëndimorë t’i sigurojnë armë që mund të godasin qytetet kryesore ruse larg vijës së frontit, duke argumentuar se ato do të ndihmonin Ukrainën të dobësonte ndjeshëm industrinë ushtarake të Rusisë dhe të sillte përfundimin e luftës.

“Nëse kostoja e vazhdimit të luftës për Moskën është shumë e lartë, ajo do të detyrohet të nisë bisedime paqeje,” i tha BBC-së zëvendësministri i Mbrojtjes, Ivan Havryliuk.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, minimizoi sugjerimin e Vance-it, duke thënë se nuk ka “një zgjidhje magjike që mund të ndryshojë situatën në front për regjimin e Kievit.”

“Qoftë ‘Tomahawk’, qoftë raketa të tjera, ato nuk do të mund të ndryshojnë dinamikën,” shtoi ai.

Raketat ‘Tomahawk’ kanë një rreze veprimi prej 2,500 km., gjë që do ta vendoste Moskën brenda shtrirjes së Ukrainës.

Ndërkohë që Vance mbeti i paqartë për kërkesën e Ukrainës për ‘Tomahawk’ gjatë deklaratës së tij të dielën, përfaqësuesi special i SHBA-së për Ukrainën, Keith Kellogg, duket se sugjeroi se Trump-i kishte autorizuar tashmë sulme thellë brenda territorit rus.

Kur u pyet në Fox News nëse Uashingtoni kishte lejuar Ukrainën të kryente sulme me rreze të gjatë brenda Rusisë në raste të caktuara, Kellogg tha: “Përgjigjja është po, përdorni aftësinë për të goditur thellë, nuk ka vende të shenjta.”

Komentet e Vance-it dhe Kellogg-it përputhen me ndryshimin e fundit të tonit të administratës amerikane në lidhje me luftën.

Pas shprehjes së dyshimeve të përsëritura se Ukraina mund të vazhdonte të mbante vendin e saj kundër Rusisë, Trump javën e kaluar tha se Kievi zyrtar mund të “rimarrë të gjithë Ukrainën në formën e saj origjinale”,  një ndryshim që raportohet se surprizoi edhe presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Trump njihet për irritimin e tij ndaj gatishmërisë sipërfaqësore të presidentit rus, Vladimir Putin, për të diskutuar përfundimin e luftës, krahas realitetit të bombardimeve të vazhdueshme të qyteteve ukrainase nga Moska.

Të dielën, një sulm masiv 12-orësh që përfshinte qindra dronë dhe gati 50 raketa la katër persona të vdekur në Kiev dhe të paktën 70 të plagosur.

Zëvendësministri i Mbrojtjes i Ukrainës i tha BBC-së se Rusia vetëm do të rrisë më tej intensitetin dhe ashpërsinë e sulmeve ajrore./rtk