
Turqia vendos aeroplan paralajmërues në Lituani pas shkeljeve të hapësirës ajrore nga Rusia
Turqia ka vendosur përkohësisht një aeroplan paralajmërues dhe kontrollues në Lituani në kuadër të masave të sigurisë së NATO-së pas shkeljeve të përsëritura të hapësirës ajrore nga dronët rusë.
Lituania, Estonia, Danimarka dhe Polonia bënë të ditur se dronët ose avionët luftarakë rusë kanë shkelur hapësirën e tyre ajrore në javët e fundit, duke bërë që aleanca e NATO-s të forcojë mbrojtjen rreth krahut lindor të Evropës, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.
“Brenda fushëveprimit të Masave të Sigurisë së NATO-s, avionët tanë të Sistemit të Paralajmërimit dhe Kontrollit Ajror (AWACS) po kryejnë misione në hapësirën ajrore lituaneze midis 22 dhe 25 shtatorit”, u tha në njoftimin e ministrisë turke të Mbrojtjes.
AWAC-ët janë të aftë të zbulojnë dronët që fluturojnë ulët dhe objekte të tjera që radarët tokësorë nuk i shohin.
Polonia ka rrëzuar disa nga dronët, dhe parlamenti i Lituanisë të martën u dha forcave të armatosura kompetenca për të rrëzuar çdo dron pa pilot që shkel hapësirën e saj ajrore.
Zyrtarët perëndimorë thonë se Rusia po kryen shkeljet e hapësirës ajrore për të testuar gatishmërinë dhe vendosmërinë e NATO-s. Estonia dhe Polonia i kanë kërkuar aleancës të hapë konsultime sipas Nenit 4 të traktatit të NATO-s.
Neni 4 thotë se anëtarët e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut do të konsultohen së bashku sa herë që, sipas mendimit të ndonjërit prej tyre, territori, pavarësia politike ose siguria e ndonjërit prej tyre kërcënohet.
Turqia, ushtria e dytë më e madhe e NATO-s, ka lidhje të forta me Rusinë në fusha si energjia dhe turizmi. Megjithatë ka dënuar pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës nga Moska dhe i ka ofruar Kievit mbështetje ushtarake, por është përmbajtur nga bashkimi me sanksionet perëndimore kundër Rusisë si pjesë e një akti balancues që thotë se e ndihmon të flasë me të dyja palët./dukagjini