
Tokio në vendin e parë për lagjet më cool në botë
Kush nuk e do rastësinë për ta zbuluar një lagje plot gjallëri, larg shtegut të zakonshëm turistik gjatë pushimeve? Ka një emocion të veçantë në gjetjen e një zone që ndihet si një shtëpi mikpritëse larg shtëpisë, ku baristi mban mend porosinë tuaj – edhe nëse jeni vetëm për një javë vizitë.
Nëse po ëndërroni për vendet më emocionuese lokale në destinacionin tuaj të ardhshëm për një ‘city-break’, guida globale Time Out ju vjen në ndihmë me përmbledhjen e saj më të fundit të lagjeve “më cool në botë”.
Në krye të renditjes së vitit 2025 është një cep i Tokios që Time Out e quan “nirvana për bibliofilët”. Jimbëchë është shtëpi për rreth 130 librari ‘vintage’ – Time Out veçon Isseido Booksellers dhe Kitazawa Bookstore si pika të shkëlqyera nisjeje për një ditë eksplorimi librash – si dhe kulturën e kafeneve.
Lista vjetore e Time Out përpilohet nga nominimet e rrjetit global të redaktorëve dhe shkrimtarëve të tij. Zgjedhjet më pas renditen sipas kritereve që përfshijnë kulturën, komunitetin, jetueshmërinë, ushqimin dhe pijet, si dhe atë që Time Out e përshkruan si “atë ndjesi të vështirë për t’u përcaktuar të të ‘tashmes’.”
“Përfundimi më i madh nga renditja e Time Out këtë vit është sa shumë formohen lagjet tona nga, dhe për, komunitetet e tyre lokale”, i tha CNN Travel redaktorja e udhëtimeve të markës, Grace Beard.
Beard tha se lista e këtij viti vë në pah disa lagje më të njohura dhe më të dashura bashkë me destinacione më pak të përfolura – “vende që vendasit me të vërtetë i duan dhe që meritojnë po aq vëmendje sa qendrat kryesore turistike të një qyteti”.
Top 10 lagjet më ‘cool’ të Time Out për vitin 2025
1. Jimbëchë, Tokio, Japoni
2. Borgerhout, Antwerpen, Belgjikë
3. Barra Funda, São Paulo, Brazil
4. Camberwell, Londër, Mbretëria e Bashkuar
5. Avondale, Çikago, Shtetet e Bashkuara
6. Mullae-dong, Seul, Koreja e Jugut
7. Ménilmontant, Paris, Francë
8. Nakatsu, Osaka, Japoni
9. Vallila, Helsinki, Finlandë
10. Labone, Akra, Gana