Mes aspiratës për BE-në dhe kolapsit politik, Moldavia mban zgjedhjet parlamentare të dielën

Mes aspiratës për BE-në dhe kolapsit politik, Moldavia mban zgjedhjet parlamentare të dielën

Bota September 25, 2025 - 11:05

Moldavia mban këtë të diel zgjedhje parlamentare vendimtare, të cilat pritet të përcaktojnë të ardhmen e saj drejt Bashkimit Evropian. Presidentja pro-evropiane Maia Sandu ka paralajmëruar për një fushatë të ndërhyrjes ruse që synon të destabilizojë vendin dhe të pengojë integrimin evropian.

Rreziku më i madh është formimi i një koalicioni të përzier, që sipas analistëve mund të vonojë ndjeshëm procesin e anëtarësimit në BE deri në vitin 2030. Ndërkohë, opozita proruse akuzon qeverinë për presion politik, ndërsa autoritetet kanë ndërmarrë arrestime të shumta për ndërhyrje të dyshuara nga Rusia.

Vendi përballet me probleme të mëdha ekonomike dhe me pakënaqësi popullore, ndërsa diaspora që zakonisht mbështet partitë pro-evropiane – pritet të luajë një rol kyç në rezultatin përfundimtar. Sandu e ka cilësuar këtë si zgjedhjen më të rëndësishme në historinë e vendit.

Moldova përballet me vështirësi të mëdha ekonomike të shkaktuara nga lufta në Ukrainë dhe ndërprerja e furnizimit me gaz nga Rusia. Inflacioni mbetet i lartë, ndërsa shumë qytetarë janë të zhgënjyer nga ritmi i ngadaltë i reformave dhe mungesa e përfitimeve konkrete nga afrimi me BE-në.

“Populli nuk e sheh në jetën e përditshme përfitimin nga integrimi evropian,” thotë Anastasia Pociumban nga Këshilli Gjerman për Marrëdhënie me Jashtë.

Ndërkohë, propaganda pro-ruse synon të mobilizojë votuesit pro-Moskës, të demotivojë ata pro-evropianë dhe të ngjallë pasiguri te të pavendosurit, sipas analistit Eugen Muravschi nga think-tanku WatchDog.MD në Chisinau.

Një pjesë e madhe e votës proevropiane pritet të vijë nga diaspora, e cila tradicionalisht mbështet forcat perëndimore, por nuk përfshihet në sondazhet kombëtare.

Zgjedhjet e së dielës do të jenë një provë vendimtare për të ardhmen politike të Moldovës, dhe rezultati do të përcaktojë nëse vendi do të vazhdojë rrugën e tij drejt Brukselit – apo do të rishohë kursin e tij gjeopolitik.  /abcnews