Me foshnjën në foltore, deputetja gjermane bën histori në Bundestag

Me foshnjën në foltore, deputetja gjermane bën histori në Bundestag

Bota September 24, 2025 - 14:49

Një moment i pazakontë u shënua në Bundestagun gjerman, kur deputetja e Partisë së Gjelbër, Hanna Steinmuller, mbajti fjalimin e saj mbi buxhetin e Ministrisë së Ndërtimit me foshnjën e saj në krahë.

“Për herë të parë sot, një anëtare e parlamentit qëndroi në foltoren e Bundestagut gjerman me foshnjën e saj,” u tha në një postim të publikuar në Instagramin zyrtar të parlamentit.

Steinmuller, 32 vjeçe, e kishte njoftuar lindjen e fëmijës së saj në dhjetor dhe kishte marrë pjesë në seanca edhe më parë me të voglin e saj.

Në një postim në rrjetet sociale pas fjalimit, ajo shkroi: “Ditë e egër”, duke shtuar se ditën tjetër do të ndajë disa reflektime mbi balancën mes jetës profesionale dhe asaj familjare.

Edhe presidentja e Parlamentit, politikania e CDU-së Julia Klockner, reagoi pozitivisht:

“Një nënë me një foshnjë dhe sfida e kujdesit për fëmijët? Hanna Steinmuller e zotëroi këtë në mënyrë të shkëlqyer me fëmijën e saj”, shkroi Klöckner në Instagram. Ajo shtoi se në rrethana të caktuara, prania e foshnjave në sallën plenare është e justifikueshme.

Sipas Bundestagut, ajo bëri histori me këtë premierë.