Njohjet për Palestinën nuk ndalin sulmet në Gaza

Njohjet për Palestinën nuk ndalin sulmet në Gaza

Bota September 23, 2025 - 21:18

Sulmi tokësor izraelit për marrjen e kontrollit të plotë të qytetit të Gazës vazhdon me intensitet të lartë pavarësisht njohjes së shtetit të Palestinës nga disa vende të rëndësishëm të bllokut perëndimor.

Tanket izraelite po përparojnë nga të katër anët drejt qendrës së Gazës me synimin përfundimtar, marrjen e kontrollit të plotë dhe largimin e Hamasit nga kryeqendra e Rripit të Gazës. Vetëm në 24-orët e fundit janë vrarë të paktën 61 persona dhe mbi 220 të tjerë janë plagosur në luftime. Dy spitale pezulluan punën prej intensifikimit të sulmeve. Qyteti vijon të përballet me mungesë furnizimesh me ushqim, karburante dhe lëndë të tjera jetike.

Çështja palestineze pritet të zërë një pjesë të rëndësishme të fjalimit të presidentit amerikan Donald Trump këtë të martë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Shtetet e Bashkuara janë kundër hapit të hedhur nga Britania e Madhe, Franca, Kanadaja, Australia, Portugalia, etj., dhe që pritet të ndiqet edhe nga vende të tjerë.

Analistët thonë megjithatë se ky hap ndikon shumë pak në përmirësimin e pozitave të palestinezëve. Që Palestina të bëhet vend anëtar me të drejtë vote në Kombet e Bashkuara, pavarësisht se njihet nga 4/5-at e vendeve anëtare, duhet miratimi i Këshillit të Sigurimit, ku Uashingtoni vendos gjithmonë veto.