
Gazprom-i rus del praktikisht nga pronësia e NIS-it
Gjiganti rus i gazit, Gazprom, ka dalë praktikisht nga pronësia e Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), pasi aksionet e tij janë marrë nga kompania ruse, Intelligence, tregojnë të dhënat e publikuara në ueb-faqen e Bursës së Beogradit.
Gazprom, i cili nuk është përfshirë nga sanksionet amerikane që kërcënojnë NIS-in, për shkak se një pjesë të madhe të tij zotëron Gazprom Neft, i cili është nën sanksione, ka transferuar rreth 11.3% të aksioneve të NIS-it tek Intelligence.
Tash për tash, nuk dihet nëse kompania Intelligence është nën sanksione.
NIS-i është në rrezik të vihet nën sanksionet e SHBA-së, të cilat janë shtyrë gjashtë herë gjatë këtij viti, për shkak të lidhjes me Gazprom Neft-in, i cili është nën sanksionet e Perëndimit, për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.
Pas vendosjes së sanksioneve, Gazprom Neft ka transferuar rreth 5% të aksioneve të tij te kompania mëmë, Gazprom, duke bërë që pjesëmarrja e tij në NIS të bjerë nën 50%.
Nga ana tjetër, Gazprom ka pasur rreth 11% të aksioneve.
Sipas dokumenteve të publikuara në Bursën e Beogradit, shoqëria aksionare Intelligence nga Shën Petersburgu ka kaluar pragun e një pjesëmarrjeje të konsiderueshme prej 10%, duke blerë pak më shumë se 11.3% të aksioneve të NIS-it.
Sot, pjesëmarrja e Gazprom Neft-it në NIS është rreth 44.9%, shteti i Serbisë ka 29.9%, ndërsa pjesa tjetër u përket aksionarëve më të vegjël.
Gazprom Neft është në pronësi të gjigantit rus të naftës, Gazprom, i cili kontrollon rreth 95% të aksioneve të degës së tij të specializuar në naftë dhe derivatet e saj.
Lajmi për ndryshimin e strukturës së pronësisë në NIS u publikua për herë të parë të dielën nga revista serbe, Nedelnik.
Më 19 shtator, NIS-i njoftoi se ka dorëzuar një kërkesë të re pranë Departamentit të Thesarit të SHBA-së për shtyrjen e zbatimit të sanksioneve ndaj kompanisë.
Sanksionet ndaj NIS-it u vendosën më 10 janar, për shkak të lidhjes së kompanisë me Gazprom Neft-in, që krijonte një “rrezik sekondar”, por zbatimi i tyre u shty gjashtë herë, pas kërkesave të NIS-it.
Për herë të fundit, ato u shtynë deri më 26 shtator.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të premten se nuk është i sigurt se a është e mundshme që sanksionet ndaj NIS-it të shtyhen përsëri.
“Kam frikë se kjo nuk do të ndodhë më dhe kam frikë se do të jemi në një situatë jashtëzakonisht të vështirë. Do të bëj çmos gjatë bisedimeve me Marco Rubion [sekretarin amerikan të Shtetit]”, tha Vuçiq, i cili këtë javë do të qëndrojë në Nju Jork për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku, sipas njoftimit të tij, pritet të takohet me Rubion.
Në janar, Vuçiq tha se kërkohet “dalja e plotë e Rusisë nga pronësia e NIS-it”, gjë që do të kërkonte transformim të pronësisë.
Drejtori i ndërmarrjes Srbijagas, Dushan Bajatoviq, tha në fillim të gushtit se Serbia do ta blinte kompaninë, por se pala ruse thotë se NIS-i nuk është në shitje. /Rel