Kremlini akuzon BE-në për nxitjen e protestave në Serbi, pa ofruar prova

Kremlini akuzon BE-në për nxitjen e protestave në Serbi, pa ofruar prova

Bota September 17, 2025 - 20:46

Kremlini ka lëshuar akuza kundër Bashkimit Evropian (BE) dhe vendeve anëtare të tij, duke pretenduar se qëndrojnë prapa protestave antiqeveritare në Serbi, por pa ofruar asnjë provë konkrete.

Në një njoftim të Shërbimit të Jashtëm Informativ të Rusisë (SVR) më 15 shtator, thuhet se “veprimtaria subversive” e Brukselit është hedhur në veprim. Sipas SVR-së, studentët që kanë bllokuar fakultetet dhe po udhëheqin protestat përshkruhen si “të rinj të radikalizuar”, të cilët po kalojnë nga protestat paqësore drejt metodave “revolucionare” të përleshjes dhe dhunës.

Teksa më 1 nëntor shënohet përvjetori i vdekjes së 16 njerëzve në aksidentin që nxiti protestat masive, Kremlini ka etiketuar si “trushpëlarë” mijëra qytetarë që po kërkojnë llogaridhënie nga pushteti.

Në deklaratën e SVR-së thuhet gjithashtu se “sfondi i liberalizmit evropian synon ta sjellë në pushtet në vendin më të madh të Ballkanit një udhëheqje të bindur dhe besnike ndaj Brukselit”.

Ndërkohë, Ivana Strander, bashkëpunëtore e Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracisë në Uashington, vlerëson se Kremlini po mbështet regjimin e presidentit Aleksandar Vuçiç, i cili refuzon të vendosë sanksione ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022.

“Presidenti rus Vladimir Putin po e shfrytëzon Ballkanin për të anashkaluar sanksionet dhe për të financuar makinerinë e luftës. Po ashtu, Putinit i përshtatet kaosi në Ballkan dhe Vuçiç e ndihmon në këtë drejtim”, tha Strander.