
Trumpi në vizitën e tij të dytë historike shtetërore në Mbretërinë e Bashkuar
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka arritur në Mbretërinë e Bashkuar të martën për vizitën e dytë shtetërore.
“Shumë gjëra këtu ma ngrohin zemrën”, tha republikani për gazetarët pasi arriti në Britani së bashku me Zonjën e Parë, Melanie Trump. “Ky është një vend shumë special”.
Mbreti Charles III do ta presë Trumpin në Kështjellën Uindsor për një banket luksoz të mërkurën, para se Trump të takohet me kryeministrin Keir Starmer.
Garda e nderit e priti familjen Trump sapo ata ateruan me avionin presidencial në Stansted, afër Londrës.
Më pas, Trump shprehu admirimin e tij për monarkun britanik.
“Ai është miku im që një kohë të gjatë dhe të gjithë e respektojnë dhe e duan”, tha Trump pasi arriti në rezidencën e ambasadorit amerikan në Londër të martën.
“Nesër do të jetë një ditë shumë e madhe”, theksoi ai.
Trump është presidenti i parë amerikan që është ftuar për vizitën e dytë shtetërore në Mbretërinë e Bashkuar. Gjatë mandatit të parë presidencial, ai ishte mirëpritur nga Mbretëresha tashmë e ndjerë Elizabeth më 2019 – teksa Britania po tenton të mbajë gjallë atë që e quan si raport të posaçëm me SHBA-në.
E gjithë vizita e Trumpit do të mbahet prapa dyerve të mbyllura dhe nën masa të rrepta sigurie.
Një protestë kundër Trumpit është thirrur në Londër të mërkurën, teksa protestuesit shfaqën imazhet e Trumpit dhe të dënuarit për dhunë seksuale, Jeffre Epstein në afërsi të Kështjellës Uindsor mbrëmjen e së martës.
Administrata Trump po përballet me thirrjet që të publikojë dosjen për çështjen Epstein.
Ndërkaq, kryeministri britanik Starmer në prag të vizitës ka shkarkuar ambasadorin në Uashington, Peter Mandelson, për shkak të emaileve që ai kishte shkëmbyer me Epstein.
Megjithatë, Qeveria e Starmerit dëshiron që ta shfrytëzojë këtë vizitë për të thelluar bashkëpunimin me Trumpin.
Në Uindsor, Trump do të pritet me ceremoni zyrtare, teksa avionët britanikë dhe amerikanë do të fluturojnë mbi kështjellë.
Ndërkaq, çështjet politike pritet të jenë në fokus gjatë takimit të Starmerit dhe Trumpit, përfshirë çështjet tregtare dhe lufta në Ukrainë dhe Gazë.
Kjo vizitë është planifikuar që të përkojë me njoftimet për disa investime në Britani. Në këtë drejtim, kompania Microsoft është zotuar se do të shpenzojë 30 miliardë dollarë gjatë katër vjetëve.
Zyra e Starmerit tha se vizita e Trumpit do ta çojë “miqësinë e pathyeshme” mes dy shteteve “në lartësi më të mëdha”. /Rel