
Bombë në Donbas, masakër të moshuarve në radhë për pensionin
Një tjetër tragjedi ka goditur Ukrainën. Të paktën 24 civilë humbën jetën dhe 19 të tjerë u plagosën pas një sulmi ajror rus në fshatin Yarova, vetëm disa kilometra nga fronti në Donbas, ku forcat ruse po grumbullohen për të thyer linjat ukrainase.
Të moshuarit e fshatit ishin mbledhur në radhë përpara furgonit të shërbimit postar “Ukroposhta”, ku merrnin pensionet ose pakot e ndihmave nga familjarët e largët, shpesh burimi i vetëm i mbijetesës në këto zona të shkatërruara ku mungon edhe uji e drita. Pikërisht aty goditi bomba ajrore e tipit Kab-250, e lëshuar nga një avion rus dhe e drejtuar me sistem telekomandimi.
Pamjet e shpërndara nga ekipet e shpëtimit tregojnë furgonin e shkatërruar dhe trupat e viktimave të shtrirë në rrugën pranë kishës së fshatit. Presidenti Volodymyr Zelensky akuzoi Moskën se ka sulmuar me vetëdije civilët.
“Me një bombë të tillë të drejtuar, rusët e dinin saktësisht ku po godisnin. Panë se ishin njerëz të zakonshëm që po merrnin pensionet e tyre”, tha ai.
Prokuroria e Përgjithshme e Ukrainës ka hapur hetim për “krim lufte”. Ndërkohë, drejtori i Ukroposhta-s, Igor Smilyansky, tha se furgoni ishte parkuar nën pemë për të shmangur zbulimin, por dyshohet se koordinatat mund të jenë dekonspiruar.
Zelensky i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar për një reagim të fortë.
“Vazhdojnë të vrasin. Është e tmerrshme që nuk ka një përgjigje të qartë nga SHBA, nga Europa, nga G20. Heshtja shihet nga Putini si leje për të vazhduar”, tha ai.
Sulmi ndodhi në zonën e Lymanit, rreth 24 kilometra në veri të Slovianskut, ku javët e fundit trupat ruse kanë avancuar dhe po konsolidojnë pozitat. Banorët e mbetur janë kryesisht të moshuar.
Një pjesë e tyre u evakuan nga vullnetarët e njohur si “Engjëjt e Bardhë”, përfshirë tetë të moshuar dhe një vajzë 7-vjeçare, ndërsa të tjerë u dërguan në spital.
Presidenti i Këshillit Europian, António Costa, reagoi ashpër.
“Është kjo ajo që nënkupton Moska kur flet për paqe?”, pyeti ai.