Hamasi thotë se është gati të negociojë, pasi Trumpi dha “paralajmërimin e fundit”

Hamasi thotë se është gati të negociojë, pasi Trumpi dha “paralajmërimin e fundit”

Bota September 08, 2025 - 08:45

Hamasi tha të dielën se ishte gati të “ulej menjëherë në tryezën e negociatave” pas asaj që e përshkroi si “disa ide nga pala amerikane që synojnë arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi”.

Deklarata e tyre erdhi menjëherë pasi presidenti i SHBA-së Donald Trump tha se kishte lëshuar “paralajmërimin e tij të fundit” ndaj Hamasit për të pranuar një marrëveshje për lirimin e pengjeve në Gazë.

“Lëvizja Hamas mirëpret çdo iniciativë që mbështet përpjekjet për t’i dhënë fund agresionit kundër popullit tonë dhe pohon gatishmërinë e saj për t’u ulur menjëherë në tryezën e negociatave për të diskutuar lirimin e të gjithë të burgosurve”, tha grupi militant palestinez.

Në këmbim, ai dëshironte “një deklaratë të qartë të përfundimit të luftës, një tërheqje të plotë nga Rripi i Gazës dhe formimin e një komiteti palestinezësh të pavarur për të menaxhuar Rripin e Gazës, i cili do të fillonte detyrat e tij menjëherë”.

Më parë, Trumpi postoi në mediat sociale: “Izraelitët i kanë pranuar kushtet e mia. Është koha që edhe Hamasi t’i pranojë. E kam paralajmëruar Hamasin për pasojat e mospranimit. Ky është paralajmërimi im i fundit”.

Militantët rrëmbyen 251 pengje gjatë sulmit masiv të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, me 47 të tjerë që janë ende në Gazë.

Ushtria izraelite thotë se 25 prej tyre janë të vdekur dhe Izraeli po kërkon kthimin e eshtrave të tyre. /Telegrafi