Sërish protesta në Serbi kundër Vuçiqit

Sërish protesta në Serbi kundër Vuçiqit

Bota September 05, 2025 - 22:05

Në Novi Sad sonte po mbahet protesta “Serbi, a po dëgjohemi?”, e thirrur nga studentët e këtij qyteti për shkak të brutalitetit policor që po përjetojnë qytetarët e këtij vendi.

Protesta filloi duke nderuar viktimat me një minutë heshtje për 16 personat që humbën jetën nga shembja e mbulesës në Stacionin Hekurudhor më 1 nëntor 2024.

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se ka marrë informacione se pjesëmarrësit e tubimit të paautorizuar në Novi Sad kanë për qëllim të sulmojnë policinë që ndodhet përpara Fakultetit të Filozofisë dhe Fakultetit të Sportit dhe Edukimit Fizik në këtë qytet.

Ata paralajmërojnë të gjithë të pranishmit që të respektojnë ligjin dhe të mos sulmojnë policinë, raporton N1.

“Në të kundërtën, policia do të jetë e detyruar të ndërhyjë dhe të ndërmarrë të gjitha masat e parashikuara me ligj për të mbrojtur jetën e vet, sigurinë dhe për të ruajtur rendin dhe qetësinë publike”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se protestat kanë filluar tash e sa muaj kundër pushtetit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Ndryshe, gjatë një marshimi protestues në Nish, qytetarët hodhën vezë në ambientet e hapura së fundmi të “Lëvizjes për Popullin dhe Shtetin”. /Telegrafi/