
Hungaria heton zhdukjen e përbërësve kyç nga tetë avionë luftarakë MiG
Autoritetet hungareze e kanë nisur një hetim lidhur me zhdukjen e disa përbërësve kyç nga tetë avionë luftarakë të tipit MiG-29, dhe nëse këto pjesë mund të kenë përfunduar në Ukrainë.
Burime të Shërbimit hungarez të Radios Evropa e Lirë (REL) thanë se pjesët e zhdukura përfshijnë elektronikën që kontrollon sistemet e navigimit dhe armëve të avionëve.
Ato shtuan se zyrtarë të Ministrisë së Brendshme të Hungarisë dyshojnë se vjedhja e pjesëve mund të jetë orkestruar nga persona brenda aeroportit ushtarak të Kecskemetit, ku ndodhen të parkuar avionët e çmobilizuar.
Media hungareze Bikk, e cila raportoi e para për këtë çështje, tha se persona të panjohur i kanë prerë rrethojat e aeroportit, janë futur me makinë në bazë dhe kanë siguruar qasje në avionë.
Mendohet se rreth 20 avionë MiG-29 të epokës sovjetike, të cilët dikur ishin në shërbim të Forcave Ajrore Hungareze, ndodhen aty.
Raportimet se pjesët e zhdukura mund të kenë përfunduar në Ukrainë kanë ngritur shqetësime lidhur me politikën e Qeverisë hungareze për të mos e furnizuar me armë Kievin, i cili po përpiqet t’i zmbrapsë forcat pushtuese ruse.
Burimet i thanë REL-it se Qeveria ka nisur gjithashtu një hetim për të kuptuar se u zbulua zhdukja e përbërësve kyc të avionëve.
“Një hetim policor është duke u zhvilluar lidhur me thyerjen e sigurisë në aeroportin e Kecskemetit në fund të korrikut, por paralelisht, edhe Forcat e Armatosura Hungareze po kryejnë procedura për të përcaktuar përgjegjësitë individuale. Për shkak të hetimeve, nuk jemi në gjendje të japim më shumë hollësi”, tha Ministria e Mbrojtjes.
Ukraina trashëgoi një flotë të vjetruar avionësh sovjetikë MiG dhe Sukhoi dhe është vazhdimisht në kërkim të pjesëve për mirëmbajtjen e tyre.
Flota hungareze e MiG-29 u çmobilizua rreth vitit 2010, kur avionët u tërhoqën nga përdorimi dhe u zëvendësuan nga avionët suedezë JAS 39 Gripen. /REL