
Trump: Evropa të ndalë blerjen e naftës ruse
Presidenti amerikan, Donald Trump i kërkon Evropës të ndalojë blerjen e naftës ruse dhe të ushtrojë presion ndaj Kinës.
Gjatë një telefonate me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe disa liderë evropianë, në kuadër të “Koalicionit të të Gatshmëve”, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u bëri thirrje vendeve evropiane të ndalojnë blerjen e naftës nga Rusia dhe të shtojnë presionin ekonomik ndaj Kinës. Lajmi u konfirmua nga një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.
Trump theksoi se të ardhurat që Rusia përfiton nga shitja e karburanteve në Evropë po përdoren për të financuar luftën në Ukrainë. Sipas tij, vetëm gjatë një viti, Moska ka arkëtuar rreth 1.1 miliardë euro nga eksporti i naftës në Bashkimin Evropian.
Përveç kësaj, 79-vjeçari kërkoi që udhëheqësit evropianë të reagojnë më ashpër ndaj Kinës, për shkak të mbështetjes që ajo i jep përpjekjeve ushtarake të Rusisë.
Telefonata, e cila u zhvillua rreth orës 08:00 të mëngjesit, ndodhi në një moment kur procesi për arritjen e paqes në Ukrainë është ngadalësuar ndjeshëm, çka sipas zyrtarëve i ka shtuar ndjenjën e zemërimit liderit amerikan dhe e ka nxitur të shqyrtojë hapa të tjerë të mundshëm.
Në këtë kontekst, Trump thuhet se ka paralajmëruar në mënyrë joformale presidentin rus, Vladimir Putin, duke deklaruar se përgjigjja e SHBA-së do të varet nga vendimet që do të marrë Kremlini. /abcnews