Izraeli lëshon satelitin e ri spiun për mbikëqyrjen e rajonit

Izraeli lëshon satelitin e ri spiun për mbikëqyrjen e rajonit

Bota September 03, 2025 - 10:22

Agjencia Hapësinore e Izraelit realizoi me sukses lëshimin e satelitit më të ri vëzhgues-spiun Ofek-19, aftësitë e të cilit mbeten sekret shtetëror, ndërsa Izraeli pohon se ai është më i avancuari i gjeneratës së tij.

Një numër i madh i incizimeve kanë dokumentuar lëshimin e mbrëmshëm të satelitit, duke u raportuar fillimisht se bëhej fjalë për një raketë ndërprerëse e nisur nga baza ajrore Palmachim.

Megjithatë, Ministria e Mbrojtjes dha shpejt një deklaratë duke sqaruar se gjurma në qiell ishte në fakt lëshuimi i suksesshëm i satelitit zbulues Ofek-19.

Satelitët spiun të gjeneratës Ofek janë zhvilluar që nga fundi i viteve ’80 si një hap i madh teknologjik i Izraelit për mbikëqyrjen e rajonit në kohë reale.

Këta satelitë përdoren për të skanuar dhe monitoruar terrenin me saktësi të lartë në kohë reale, që sipas burimeve izraelite arrin deri në kapjen e imazheve me rezolucion më të lartë se 10 centimetra nga toka.

Hedhja e fundit e një sateliti nga gjenerata Ofek ishte në mars të vitit 2023, kur u hodh në orbitë sateliti Ofek-13. Sipas disa burimeve, hedhja e Ofek-19 është përshpejtuar pas luftës 12-ditore me Iranin.

Zhvillimi dhe vendosja në orbitë e këtyre satelitëve spiun i siguron Izraelit një nivel të inteligjencës dhe ndërgjegjësimit strategjik që nuk e posedojnë shtetet e tjera në rajon, ndaj Agjencia Hapësinore Izraelite ka mjete të mëdha financiare për të avancuar aftësitë e saj. /Telegrafi