Ishin nisur drejt Ishujve Kanarie me varkë, humbin jetën 70 persona

Ishin nisur drejt Ishujve Kanarie me varkë, humbin jetën 70 persona

Bota September 02, 2025 - 12:09

Policia spanjolle ka nisur një hetim për vrasje të dyshuara në bordin e një anijeje me emigrantë që mbërriti në Ishujt Kanarie, pasi 70 persona rezultojnë të zhdukur dhe të mbijetuarit kanë treguar për sulm gjatë udhëtimit nga Afrika Perëndimore.

Në bord ndodheshin rreth 320 persona, por vetëm 251 mbërritën të gjallë. Të mbijetuarit rrëfyen se disa pasagjerë u qëlluan dhe u hodhën në Atlantik. Të tjerë vdiqën nga dehidratimi ose u hodhën vetë në det në gjendje deliriumi.

Varka kajuko u nis nga Sahara Perëndimore, por motori i saj u prish dhe pasagjerët qëndruan për rreth 11 ditë në det pa furnizime të mjaftueshme.

Rojet bregdetare spanjolle shpëtuan rreth 251 persona në perëndim të Dakhla-s, 265 milje nga Ishujt Kanarie. Policia spanjolle është duke kërkuar deri në 30 burra në strehimore të ndryshme të emigrantëve për të zbuluar përgjegjësit.

Burime gjyqësore konfirmuan për agjencinë EFE se disa vdekje po hetohen si vrasje. Disa nga vrasësit e dyshuar janë identifikuar dhe do të arrestohen së shpejti.Nëse shpallen fajtorë, të dyshuarit mund të përballen me burgim të përjetshëm.

“Rruga Perëndimore” drejt Ishujve Kanarie është një nga më të rrezikshmet për emigrantët afrikanë. Maroku, që ndan përgjegjësinë për këto ujëra me Spanjën, deklaroi se nuk kishte burime për të përballuar emergjencën. /oranews