
Izraeli planifikon “të fusë Greta Thunberg në qeli të terroristëve” pas nisjes së flotiljes për Gazën
Izraeli thuhet se po planifikon “të fusë Greta Thunberg në qeli të terroristëve”, pasi aktivistja mjedisore nisi një ‘Flotilë të Lirisë’ të dytë me destinacion Gazën.
Thunberg, 22 vjeçe, po nis Flotilën Globale Sumud nga Barcelona me qëllim dhënien e ndihmës për njerëzit e qytetit të shkatërruar nga lufta, të cilët janë shtyrë drejt urisë nga inkursioni hakmarrës i Izraelit në Rrip.
Ajo do të udhëtojë së bashku me Liam Cunningham, aktorin e Game of Thrones, dhe Ada Colau, ish-kryetaren e bashkisë së Barcelonës, ndër të tjerë.
Ky veprim vjen vetëm disa javë pasi ajo u ndalua në ujëra ndërkombëtare nga Izraeli, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Përpjekja e saj e parë për të arritur në Gaza në qershor, pasi u nis nga Italia, u pengua nga forcat izraelite, të cilat hipën në anije në ujëra ndërkombëtare dhe e ndaluan.
Ajo dhe 11 pasagjerë u çuan në Izrael dhe iu dha mundësia të deportoheshin ose të arrestoheshin.
Tani, dhjetëra anije të tjera pritet të nisen për në Gaza nga Tunizia dhe porte të tjera në Detin Mesdhe më 4 shtator për t’u bashkuar me Flotiljen Globale Sumud, e cila synon të thyejë rrethimin e qytetit të shkatërruar nga lufta.
Por Itamar Ben-Gvir, ministri i sigurisë kombëtare i Izraelit, po planifikon t’i paraqesë kryeministrit izraelit Benjmin Netanyahu një plan për të ndaluar aktivistët në kushte të ashpra “të nivelit terrorist” në qendrat e paraburgimit për femra në Ktzi’ot dhe Damon, sipas Israel Hayom.
Plani përfshin gjithashtu kapjen e dhjetëra anijeve dhe përdorimin e tyre për të krijuar një “forcë detare për operacione policore”.
Israel Hayom citoi individë pranë Ben-Gvir duke thënë: “Pas disa javësh në Ktzi’ot dhe Damon, ata do të pendohen për kohën kur mbërritën këtu. Ne duhet të eliminojmë oreksin e tyre për një përpjekje tjetër”.
Përpara nisjes nga porti i Barcelonës, Thunberg i tha televizionit iranian Press se flotiljet synojnë të “shpërndajnë ndihmë humanitare dhe të thyejnë rrethimin e paligjshëm të Izraelit në Gaza dhe të hapin një korridor humanitar për njerëzit”.
Aktivistja tha se më shumë se 26,000 njerëz u regjistruan për t’u bashkuar me misionin për të thyer rrethimin në Gaza. /Telegrafi