
Plagoset në aksident ish-kryetari legjendar i New York-ut, mbështetësi i çlirimit të Kosovës
Ish-kryetari legjendar i New York-ut, 81-vjeçari Rudy Giuliani, një mbështetës i fortë i çlirimit të Kosovës, është plagosur në një aksident automobilistik në New Hampshire në SHBA, sipas rojës së tij të sigurisë.
Automobili i Giulianit u godit me shpejtësi të lartë nga pas, ndërsa po udhëtonte në autostradë, thuhet në një deklaratë të postuar në rrjetet sociale, transmeton klankosova.tv.
Sipas deklaratës së rojës së sigurisë, Michael Ragusa, ai u diagnostikua me një thyerje në një vertebrë torakale, prerje dhe mavijosje të shumta, si dhe lëndime në krahun e majtë dhe këmbën e poshtme.
Pak para aksidentit, zëdhënësi tha se Giuliani kishte qenë duke ndihmuar një grua që ishte plagosur në një incident dhune në familje.
“Para incidentit, ai u sinjalizua nga një grua që ishte viktimë e një incidenti dhune në familje. Kryebashkiaku Giuliani menjëherë ofroi ndihmë dhe kontaktoi 911,” tha Ragusa.
“Ai qëndroi në vendngjarje derisa mbërritën oficerët që morën pjesë në operacion për të siguruar sigurinë e saj.”
Giuliani u bë i njohur si “Kryetari i Amerikës” pas udhëheqjes së New York-ut gjatë 11 shtatorit.
Më pas u bë këshilltar dhe më pas avokat personal i Donald Trump.
Kujtojmë se së fundit, Rudy Giuliani kishte acaruar presidentin serb, Aleksandar Vuçiq meqë në Sarajevë i kishte kujtuar faktin se Kosova është shtet i pavarur dhe e quante Dodikun kriminel.
Giuliani, nuk është i dëshiruar në Serbi, për shkak të mbështetjes së bombardimeve të NATO-s më 1999.
Ai gjatë aksionit ajror më 1999 i kishte propozuar presidentit të atëhershëm amerikan, Bill Clinton, që për parandalimin e gjenocidit në Kosovë duhet të dërgojë edhe trupat tokësore. Ai edhe më vonë pati theksuar se serbët në Kosovë kanë kryer gjenocid.
”Holokausti nuk është një incident i izoluar. Paragjykimet, urrejtja dhe emocionet e çoroditura që shkojnë përtej njerëzisë dhe ligjit, janë duke ndodhur tash në Evropë. Mu për këtë Amerika duhet ta luaj rolin e vet për ta ndalë gjenocidin në Kosovë. Presidenti Clinton duhet ta ketë një plan rezervë dhe në Kosovë të dërgojë trupat tokësore nëse kjo është e nevojshme”, kishte deklaruar ai më 12 prill 1999, për New York Post.