
Iraniania nuk e mban mend sa burra i ka helmuar për vdekje
Kolsum Akbari akuzohet për helmimin dhe vrasjen e 11 bashkëshortëve gjatë një periudhe prej 22 vitesh, por ajo pretendon se numri mund të jetë edhe më i madh; thjesht nuk e mban mend saktësisht.
Për më shumë se dy dekada, gruaja 56-vjeçarja ka arritur të martohet sistematikisht me burra të moshuar, të cilët më pas i helmonte me ilaçe për diabet dhe alkool industrial, me qëllim që të trashëgonte pasuritë dhe pajën e tyre.
Askush nuk dyshonte sepse burrat dukeshin sikur vdisnin nga shkaqe natyrore, për shkak të moshës së thyer dhe problemeve shëndetësore. Ajo vepronte në qytete të ndryshme për të shmangur vëmendjen ndaj saj. Seria e vrasjeve të saj nisi në vitin 2000 dhe vazhdoi deri në vitin 2023, kur djali i viktimës së saj të fundit, 82-vjeçarit Gholamreza Babaei, u bë i dyshimtë dhe njoftoi policinë. Tani ajo akuzohet për vrasjen e 11 burrave, por vetë “vejusha e zezë” thotë se mund të jenë mes 13 dhe 15.
“Nuk e di sa vetë kam vrarë. Ndoshta ishin 13 ose 15 persona. Nuk e mbaj mend saktësisht”, tha Akbari gjatë marrjes në pyetje.
Kolsum Akbari u martua për herë të parë në moshën 18-vjeçare. Ishte një martesë e shkurtër me një burrë që vuante nga probleme të shëndetit mendor, por edhe martesa e saj e dytë nuk ishte më e mirë. Ajo u martua me një burrë shumë më të moshuar, që kishte fëmijë nga një martesë e mëparshme, dhe që e rrihte e e poshtëronte vazhdimisht. Pas vdekjes së burrit të saj të dytë filloi seria e vrasjeve. Ajo u thoshte njerëzve se ishte e gatshme të martohej me burra të moshuar e të vetmuar, dhe pas verifikimit të gjendjes së tyre financiare, pranonte të martohej në këmbim të pajave të larta.
Menjëherë pas martesës me viktimat, Kolsum fillonte t’i helmonte ata me një përzierje të rrezikshme ilaçesh për tensionin, diabetin, qetësuesish dhe alkoolit industrial. Kur kjo nuk rezultonte fatale, ajo përdorte jastëk për t’i mbytur, përpara se të kalonte te viktima tjetër.
Meqë vrasjet ndodhnin në qytete të ndryshme të provincës Mazandaran të Iranit, autoritetet nuk arritën ta lidhin atë me to për një kohë të gjatë. Mirahmad Omrani, 69-vjeçari vdiq një muaj pas martesës me Akbarin në vitin 2013, Esmail Bakhshi, 62 vjeç, vdiq dy muaj pas dasmës në vitin 2016 dhe 83-vjeçari Ganjali Hamzei ndërroi jetë 43 ditë pas martesës me vrasësen seriale. Interesante është se një nga burrat e saj, Masih Nemati, i mbijetoi tentativës për helmim në vitin 2020, por thjesht e dëboi nga shtëpia pa njoftuar policinë.
Seria e vrasjeve të Akbarit mori fund në vitin 2023, menjëherë pas vdekjes së bashkëshortit të saj të fundit, Gholamreza Babaei, 82 vjeç, kur djali i këtij të fundit dyshoi tek ajo.
Një mik i tha se babai i tij kishte qenë më parë i martuar me një grua me emrin Kolsum që kishte tentuar ta helmonte. Kur pa këtë vejushë, e njohu si të njëjtën person. Edhe pse fillimisht i mohoi vrasjet, 56-vjeçarja përfundimisht pranoi, por vazhdon të japë deklarata kontradiktore për numrin e viktimave.
Ajo tani akuzohet për 11 vrasje me paramendim dhe një tentativë vrasjeje, dhe nëse shpallet fajtore, rrezikon dënimin me vdekje. Çështja përfshin më shumë se 45 paditës, përfshirë trashëgimtarët e viktimave të saj, që kërkojnë drejtësi.
Prokurorët thonë se motivi i saj ishte pasuria e burrave të saj, shumica e të cilës është transferuar në emër të vajzës së Kolsumit. Gjykata pritet të japë vendimin pasi të dëgjohen të gjithë paditësit.