Zonja e Parë e Turqisë i bën thirrje Melania Trump për fëmijët në Gaza

Zonja e Parë e Turqisë i bën thirrje Melania Trump për fëmijët në Gaza

Bota August 24, 2025 - 15:34

Zonja e Parë e Turqisë i ka kërkuar Melania Trump të flasë hapur për fëmijët që vuajnë në luftën e Izraelit në Gaza.

Emine Erdogan vlerësoi mbështetjen e Zonjës së Parë të SHBA-së për fëmijët e prekur nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia, duke i kërkuar Trump të “zgjerojë avokimin” edhe për palestinezët.

Në një letër të botuar nga presidenca turke të shtunën, Emine tha se Gaza është bërë një “varrezë fëmijësh”, duke i thënë Melanias: “Ne duhet të bashkojmë zërat dhe forcën tonë kundër kësaj padrejtësie”.

Kjo vjen ndërsa ekspertët e sigurisë ushqimore të mbështetur nga OKB-ja kanë vlerësuar se gjysmë milioni njerëz po vuajnë nga uria në qytetin e Gazës – dhe jeta e 132,000 fëmijëve është e kërcënuar nga kequshqyerja.

“Fraza ‘foshnjë e panjohur’ e shkruar në qefinët e mijëra fëmijëve të Gazës, hap plagë të pariparueshme në ndërgjegjen tonë”, shkroi Emine Erdogan.

Letra i bën thirrje Melnia Trump të “tregojë të njëjtën ndjeshmëri ndaj Gazës, që u keni treguar fëmijëve ukrainas që kanë humbur jetën në luftë”.

Emine Erdogan gjithashtu e inkurajoi Melania Trump t’i drejtohej drejtpërdrejt kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, për t’i dhënë fund “krizës humanitare në Gaza”.

Më parë këtë muaj, Melnia i dërgoi një letër presidentit rus Vladimir Putin, duke i kërkuar atij të merrte në konsideratë fëmijët, por nuk përmendi ndonjë fëmijë specifik.

Zonja e parë turke zakonisht nuk përfshihet në politikë, më shpesh duke zgjedhur të jetë aktive në çështjet mjedisore – gjë që i ka fituar lëvdatat nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres. /Telegrafi