
Vullkani “Kilauea” shpërthen në Havai, harku i lavës me lartësi 30 metra
Vullkani i njohur “Kilauea” në Havai shpërtheu përsëri të premten, më 22 gusht, duke nxjerrë një hark lave rreth 30 metra të lartë dhe duke mbuluar pjesërisht dyshemenë e kraterit të tij në majë, njofton gazeta italiane “Corriere della Sera”.
Ky është shpërthimi i 31-të i lavës që nga dhjetori i kaluar, duke treguar natyrën shumë aktive të “Kilauea”, një ndër vullkanet më të gjallë në botë.
Shpërthimi nisi në mëngjes në daljen veriore të kraterit, ku spërkatjet e lave u shndërruan në shatërvane të mëdha inkandeshente gjatë ditës.
Fatmirësisht, aktiviteti mbeti i kufizuar brenda kraterit dhe nuk përbën kërcënim për banesat përreth.
Vullkani “Kilauea” ndodhet në Ishullin e Madh, ishulli më i madh në arkipelagun havaian, rreth 200 milje në jug të Honolulusë në Oahu.
Kjo është hera e katërt në 200 vitet e fundit që “Kilauea” prodhon shatërvanë të përsëritura lave: më parë kjo ka ndodhur në vitet 1959, 1969 dhe në periudhën 1983-1986, gjatë së cilës janë regjistruar 44 episode shpërthimi.
Shpërthimi i asaj periudhe u transformua në një rrjedhë të vazhdueshme lave që vazhdoi, në forma të ndryshme, deri në vitin 2018. /Rtk