Tragjedi në Egjipt: Raportohet për gjashtë nxënës të mbytur në det, 24 të tjerë lëndohen

Tragjedi në Egjipt: Raportohet për gjashtë nxënës të mbytur në det, 24 të tjerë lëndohen

Bota August 23, 2025 - 18:46

Një ekskursion shkollor në Egjipt është shndërruar në tragjedi, pasi të paktën gjashtë nxënës kanë humbur jetën dhe 24 të tjerë janë lënduar gjatë një vizite në plazhin Abu Talat, në Aleksandri.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Egjiptit, ekipet e emergjencës mbërritën menjëherë në vendngjarje pasi u raportua se nxënësit po luftonin me dallgët e forta. Në operacionin e shpëtimit u angazhuan 16 autoambulanca, por pavarësisht përpjekjeve, gjashtë nxënës nuk arritën të mbijetojnë, raporton “The Sun”, transmeton Klankosova.tv.

Tre prej të plagosurve u trajtuan në vend, ndërsa 21 të tjerë u dërguan në spitalet më të afërta. Autoritetet vendore kanë urdhëruar mbylljen e plazhit dhe kanë ngritur flamuj paralajmërues të kuq për shkak të kushteve të rrezikshme të detit dhe rrymave të fuqishme.

Ministri i Shëndetësisë, Khaled Abdel Ghaffa, tha se trajtim i menjëhershëm mjekësor po u ofrohet të gjithë nxënësve të lënduar dhe paralajmëroi qytetarët të respektojnë udhëzimet e sigurisë në plazhe. Ndërkohë, autoritetet kanë nisur një hetim për të zbuluar nëse masat e sigurisë ishin zbatuar.

Ngjarja vjen vetëm pak ditë pasi një tjetër aksident tronditi Egjiptin, ku 6 persona humbën jetën dhe 39 të tjerë u shpëtuan pas mbytjes së nëndetëses turistike Sindbad pranë Hurghadës. Nëndetësja mbante 45 turistë, kryesisht rusë, por edhe nga India, Norvegjia dhe Suedia, të cilët po zhvillonin një tur nënujore për të parë shkëmbinjtë koralorë.