
FBI-ja bastis shtëpinë e ish-këshilltarit të Trumpit, John Bolton
Shtëpia e ish-këshilltarit për sigurinë kombëtare të SHBA-së, John Bolton, po i nënshtrohet një kontrolli nga agjentët federalë, sipas një burimi anonim që ka folur për agjencinë e lajmeve AP në kushte anonimiteti.
Burimi tha se FBI-ja po kontrollon shtëpinë e Boltonit si pjesë e një hetimi mbi trajtimin e dokumenteve të klasifikuara.
Edhe agjencia e lajmeve Reuters citoi një burim anonim duke thënë se sot po zhvillohet aksioni.
Një gazetar i lidhur me agjencinë AFP raportoi se ka parë agjentë të FBI-së duke hyrë në shtëpinë e Boltonit në Bethesda, Maryland, pranë Uashingtonit DC.
Boltoni ka shërbyer si këshilltar për sigurinë kombëtare gjatë mandatit të parë të presidentit amerikan, Donald Trump, por më pas është kthyer në një kritik të ashpër të tij.
Sipas burimit të AP-së, Boltoni nuk është arrestuar dhe nuk është akuzuar për ndonjë krim. /Telegrafi