
Rritet me 40 për qind numri i vrasjeve në Ekuador, koha më e përgjakshme në dekadat e fundit
Numri i vrasjeve në Ekuador është rritur me 40.36 për qind në shtatë muajt e parë të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, njoftoi sot Ministria e Punëve të Brendshme të Ekuadorit.
Me 5268 vrasje, kjo është periudha më e dhunshme shtatëmujore e regjistruar në dekadën e fundit, një rritje nga 3,753 vrasje të regjistruara nga janari deri në korrik të vitit të kaluar.
Sipas raportit të ministrisë, shumica e viktimave ishin të moshës ndërmjet 25 dhe 34 vjeç, dhe shumica e vrasjeve janë kryer me armë zjarri, raporton reuters.
Numri i vrasjeve në këtë vend të Amerikës së Jugut është rritur pavarësisht përpjekjeve të presidentit Daniel Noboa për të frenuar dhunën e bandave.
Noboa, i zgjedhur president këtë vit, ka vendosur ushtrinë në rrugë dhe ligjvënësit kanë miratuar reforma që, sipas tij, synojnë të ndihmojnë në luftën kundër krimit, përfshirë dënime më të ashpra për kontrabandën e drogës.
Sipas të dhënave të ministrisë, vrasjet në vitin 2024 kishin rënë me 15 për qind.
Qeveria ia atribuon rritjen e dhunës muajt e fundit përplasjeve midis anëtarëve të bandave që kërkojnë të marrin kontrollin e rrugëve të kontrabandës së drogës, të cilat janë nën presion të shtuar nga forcat e sigurisë.
Muajin e kaluar, qeveria ekstradoi drejt SHBA-së liderin e bandës “Los Choneros”, Jose Adolfo Macias Villamar, i njohur si “Fito”, ku ai po përballet me akuza për kontrabandë droge dhe armësh.