
Serbia ndjek penalisht dëshmitarin që zbuloi krimet e luftës kundër serbëve në Kroaci
Nga dëshmitar kryesor në të pandehur. Kjo është rruga e Krunosllav Fehirit, dëshmia e të cilit ishte vendimtare në gjyqin e Branimir Gllavashit në Kroaci, për krime lufte kundër civilëve serbë në vitin 1991.
Në fillim të gushtit, Prokuroria për Krime Lufte në Beograd ngriti aktakuzë kundër Fehirit - një veprim që njohësit e këtij rasti e konsiderojnë si të pazakontë, po aq sa edhe heshtjen e zyrtarëve të Zagrebit për të.
Si i mitur, Krunosllav Fehir ishte pjesëtar i Batalionit të Osijekut të Branimirit - një formacion që ishte në varësi të drejtpërdrejtë të Gllavashit, njërit prej themeluesve të Bashkimit Demokratik Kroat (HDZ) dhe, në atë kohë, njeriut de facto më të fuqishëm në zonën e Osijekut, në Kroacinë lindore.
Gllavash u dënua me shtatë vjet burg me një vendim të shkallës së parë, ndërsa vendimi përfundimtar duhet të jepet nga Gjykata e Lartë e Kroacisë.
Në mes të qershorit të këtij viti, policia serbe e arrestoi Fehirin me të hyrë në Serbi dhe që atëherë ai mbahet në paraburgim në Burgun Qendror të Beogradit.
Sipas avokatit të tij, Bojan Stanojlloviq, Prokuroria e akuzon Fehirin për anëtarësim në një grup që nxiste kryerjen e gjenocidit dhe krimeve të luftës.
Bëhet fjalë për nenin 145, paragrafin 2 të Kodit Penal nga koha e RSFJ-së, i cili parashikon dënim me burg prej së paku një viti.
“Sigurisht, ai u habit kur e arrestuan, sepse nuk e kishte idenë se mund të arrestohej për këtë... sepse që nga viti 1991 e deri më sot, autoritetet në Serbi nuk kanë ndërmarrë ndonjë veprim, as nuk ka pasur ndonjë tregues se po ndodhte diçka”, thotë Stanojlloviqi.
Gazetari dhe shkrimtari Drago Hedl, i cili ishte i pari që shkroi për krimet e luftës për të cilat ishte përgjegjës Branimir Gllavash, thotë për REL-in se është i befasuar nga vendimi i autoriteteve gjyqësore në Serbi, për të filluar procedurat kundër njeriut që ishte më përgjegjësi për zbulimin e krimeve kundër civilëve serbë në Osijek.
“Një nga të njohurit e mi, me të cilin fola për rastin, më tha se Serbia duhet t’i japë atij njeriu një dekoratë, sepse ai ishte personi që zbuloi krime shumë të rënda lufte kundër pjesëtarëve të pakicës kombëtare serbe në Kroaci”, thotë Hedl.
Dëshmitar i krimit
Në vitin 1991, me këmbënguljen e të atit, 16-vjeçari Krunosllav Fehir u bë anëtar i Korpusit të Gardës Kombëtare (ZNG), i cili ishte paraardhës i Ushtrisë kroate. Formacioni i Batalionit të Osijekut të Branimirit vepronte brenda Korpusit. Ky formacion i përgjigjej drejtpërdrejt Branimir Gllavashit.
“Kroacia nuk e kishte ushtrinë e vet në ish-Jugosllavi, kështu që pas shpërbërjes së Jugosllavisë dhe në prag të luftës në vitin 1991, u formua ZNG-ja. Ajo përbëhej nga të rinj, rekrutë që më pas morën uniforma dhe armë. Midis tyre ishte edhe Krunosllav Fehir, i cili në atë kohë ishte i mitur”, shpjegon Hedl.
Në fillim të viteve 2000, Gllavash, së bashku me një grup anëtarësh të ZNG-së, u akuzuan për krime lufte kundër civilëve serbë në vitet 1991 dhe 1992.
Aktakuza përfshinte dy raste: vrasjen e shtatë civilëve kryesisht serbë në brigjet e Dravës dhe vrasjen e Çedomir Vuçkoviqit dhe Gjorgje Petroviqit, civilë me kombësi serbe, në garazhin e Sekretariatit të Mbrojtjes, të cilin e drejtonte Gllavash.

Fehir në gjendje të keqe shëndetësore
Krunosllav Fehir është në gjendje të keqe shëndetësore dhe Ambasada e Republikës së Kroacisë u ka kërkuar autoriteteve gjyqësore serbe që t’i mundësojnë atij t’u nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore në Beograd, tha misioni diplomatik kroat.
Sipas tij, deri më tani, nuk ka asnjë përgjigje në këtë kërkesë.
Këtë e konfirmon edhe avokati i Fehirit, Stanojlloviq.
Ai thotë se ka dërguar disa kërkesa urgjente që klienti i tij t’u nënshtrohet ekzaminimeve diagnostikuese.
“Krunosllav Fehir ka probleme serioze shëndetësore dhe prioriteti ynë aktual është të organizojmë një ekzaminim mjekësor, në mënyrë që të përmbushen parakushtet për gjyq”, thotë Stanojlloviq.
Sipas fakteve të vërtetuara nga gjykata, Çedomir Vuçkoviq u detyrua të pinte acid sulfurik nga një akumulator nga një prej anëtarëve të batalionit të Osijekut të Branimirit.
Nën dhimbje të tmerrshme, burri fatkeq arriti të thyente derën e garazhit.
Fehir, në atë moment, po siguronte hyrjen e garazhit.
Kur e pa Vuçkoviqin, Fehir, sipas pranimit të tij, e qëlloi dhe e plagosi në bark dhe në krahun e djathtë.
Hedl thotë se autopsia e kryer të nesërmen, tregoi se Vuçkoviq vdiq nga efektet e helmimit me acid sulfurik.
Fehir, i cili u bë oficer i policisë pas luftës, foli në detaje rreth krimit për gazetën “Feral Tribune”, me qendër në Split, për të cilën në atë kohë shkruante Hedl.
Në dëshminë e tij për “Feral” në vitin 2005, Fehir, mes tjerash, tha:
“Këta dy persona, në fakt, u keqtrajtuan gjatë gjithë kohës. E di se u rrahën edhe me shkop bejzbolli. Më vonë, ndërsa po afrohej fundi i ditës, thanë se do t’i detyronin të pinin acidin që ndodhej në garazh. Nuk mund të besoja se për çfarë po flitej, e më vonë pashë se në të njëjtin garazh ndodheshin disa akumulatorë të hedhur, që ishin të përdorur ose nuk ishin tonët. E di që njëri prej tyre u detyrua të pinte acid. Pas kësaj, rreth orës 9:00-9:15, njëri nga këta dy persona goditi derën nga brenda... u dëgjua edhe një goditje tjetër dhe dera u thye, dhe ai doli jashtë”.
Fehir tha gjithashtu se Vuçkoviq u qëllua më pas, ndërsa Gjorgje Petkoviq, i cili pa gjithçka dhe qëndroi në garazh, u vra më vonë.
Dëshmia e tij fillimisht nisi hetimet, e më pas edhe gjyqin kundër Branimir Gllavashit, i cili nuk ka përfunduar as pas dy dekadash.

Hedl: Krunosllav Fehir ishte më përgjegjësi për zbulimin e krimeve kundër civilëve serbë në Osijek.
Fehirit iu dha statusi i dëshmitarit kryesor, i cili në një nga procedurat e ardhshme iu hoq për arsye procedurale, por dëshmia e tij mbeti e vlefshme.
“Tani ai është personi kundër të cilit është kthyer sistemi gjyqësor i Serbisë, nën rrethana të paqarta për mua - sidomos duke pasur parasysh se Krunosllav Fehir, që nga përfundimi i luftës e deri në kohën kur është arrestuar, e ka vizituar disa herë Serbinë dhe askush nuk e ka pyetur kurrë për asgjë”, thotë Hedl.
Me çfarë (nuk) e ngarkon prokuroria Fehirin?
Stanojlloviq, përfaqësues ligjor i Krunosllav Fehirit, shpjegon se klienti i tij nuk dyshohet për vrasjen e Çedomir Vuçkoviqit.
“Prokuroria jonë nuk ka asnjë informacion prej atyre lëndëve. Prokuroria merr informacione nga disa tituj gazetash, nga deklaratat e mëparshme të Krunosllav Fehirit në media dhe nga deklaratat e tij para prokurorit publik gjatë fazës së hetimit”, thotë Stanojlloviq.
Ai thekson se, përpara se t’i jepej statusi i dëshmitarit kryesor, kundër Fehirit është zhvilluar një procedurë penale për vdekjen e Çedomir Vuçkoviqit, por se ajo është ndërprerë, që do të thotë se ai nuk mund të gjykohet përsëri për atë krim.
Stanojlloviq shton se akuza e prokurorisë se Fehir ishte anëtar i një grupi që nxiste kryerjen e gjenocidit dhe krimeve të luftës, hidhet poshtë nga fakti se ai ka qenë i mitur në atë kohë.
“Ai u dërgua atje dhe është në pikëpyetje nëse dinte çfarë po bënte në ato vite. Gjithashtu, konventat e privojnë nga mundësia për t’u akuzuar për krime lufte në atë moshë”, thotë Stanojlloviq.
Zoran Pusiq, udhëheqës i Lidhjes Antifashiste të Kroacisë dhe aktivist i të drejtave të njeriut për dekada të tëra, thotë për Radion Evropa e Lirë se procedurat kundër Krunosllav Fehirit, janë një padrejtësi e madhe dhe një farsë politike.
“Fehir vuajti edhe në Kroaci. Për shkak të dëshmisë së tij, ai pati vetëm telashe. Dëshmia e tij mundësoi gjyqin më të vështirë në Kroaci. Ngjarja nuk do të ishte shndërruar kurrë në një proces gjyqësor, nëse nuk do të ishte dëshmia e tij”, thotë Pusiqi.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni KETU: