Stefanoviq: Dodiku mund të jetë kandidat për president të Serbisë, pas Vuçiqit

Stefanoviq: Dodiku mund të jetë kandidat për president të Serbisë, pas Vuçiqit

Bota August 19, 2025 - 12:29

Zëvendëskryetari i Partisë së Lirisë dhe Drejtësisë (SSP) në Serbi, Borko Stefanoviq, deklaroi mëngjesin e sotëm se aktualisht po shqyrtohet opsioni që Millorad Dodik, i cili pas vendimit të djeshëm të Kolegjit të Apelit të Gjykatës së Bosnjë e Hercegovinës nuk është më president i Republikës Sërpska, të jetë kandidat për president të Serbisë në zgjedhjet e ardhshme.

Stefanoviqi, në një intervistë për televizionin serb “Nova”, tha se kjo po “diskutohet seriozisht”, pasi presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk mund të kandidojë sërish për shkak se po i përfundon mandati i dytë, ka transmetuar SSP përmes një njoftimi.

“Vuçiq dëshiron të bëhet kryeministër, të kthehet në postin e kryetarit të Qeverisë, dhe po e përgatit Millorad Dodikun për president, pasi ai ka shtetësi serbe dhe tashmë nuk mund të jetë president i Republikës Sërpska”, tha Stefanoviqi, transmeton Klankosova.tv.

Duke folur për protestat në Serbi, ai vlerësoi se paraqitja e mbrëmshme e Vuçiqit para zyrave të SNS-së në Palilula – ku janë thyer xhamat, janë bërë arrestime pa bazë dhe janë rrahur të rinjtë – përbën një “përpjekje për të vazhduar gjendjen e jashtëzakonshme të shpallur në heshtje”.

Stefanoviqi tha se pret që regjimi të ashpërsojë shtypjen, duke u përpjekur që nën përkufizimin e “terrorizmit” – i cili është shumë i gjerë në ligj – të fusë çdo qytetar që del në protesta.