Kancelari Merz lë të hapur mundësinë për trupat paqeruajtëse gjermane në Ukrainë

Kancelari Merz lë të hapur mundësinë për trupat paqeruajtëse gjermane në Ukrainë

Bota August 19, 2025 - 12:22

Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, ka sinjalizuar së Berlini është i hapur ndaj pjesëmarrjes në një mision të mundshëm paqeruajtës në Ukrainë, pas bisedimeve kyçe në Shtëpinë e Bardhë, transmeton Anadolu.

Duke folur me gazetarët në Washington DC, Merz tha se takimi me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe udhëheqës të tjerë evropianë u zhvillua në një atmosferë “shumë pozitive”.

“Nuk mund t’ju them ende me siguri se çfarë do të ndodhë në ditët dhe javët e ardhshme. Gjëja e rëndësishme është që ne të qëndrojmë vërtet së bashku dhe të mbetemi të bashkuar”, tha Merzi, duke shtuar se udhëheqësit evropianë dhe vendet e “Koalicionit të të Gatshmëve” do të vazhdojnë diskutimet e tyre të martën.

“Çështja se kush do të marrë pjesë në garancitë e sigurisë dhe në çfarë mase është diçka që sigurisht duhet ta diskutojmë midis partnerëve tanë evropianë dhe me administratën amerikane”, tha Merzi.

“Është absolutisht e qartë se e gjithë Evropa duhet të marrë pjesë. Në fund të fundit, nuk bëhet fjalë vetëm për territorin e Ukrainës; bëhet fjalë për rendin politik të Evropës”, shtoi ai.

Kancelari gjerman theksoi se Gjermania ka “një përgjegjësi të madhe” për të marrë pjesë në këto përpjekje, por shtoi se shumë do të varet nga konsultimet me vendet e tjera evropiane dhe partnerët e tij në qeverinë e koalicionit.

“Shkalla në të cilën ndodh kjo është diçka që duhet ta diskutojmë në Evropë, dhe sigurisht që do të duhet ta diskutoj edhe në Berlin me partnerët e koalicionit, duke përfshirë diskutimet nëse mund të na duhet të marrim vendime që kërkojnë një mandat nga parlamenti gjerman. Por është shumë herët sot për të dhënë një përgjigje përfundimtare për këtë”, tha ai.